Sveçla: Serbët refuzuan ofertën e komandantit të KFOR-it – dëshmi se barrikaduesit kanë qëllime tjera

Sveçla: Serbët refuzuan ofertën e komandantit të KFOR-it – dëshmi se barrikaduesit kanë qëllime tjera

Aktuale September 28, 2021 - 12:56

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka ritheksuar edhe sot se angazhimi i Njësisë Speciale nuk është i drejtuar ndaj rrezikimit të interesave të qytetarëve, por për të mbrojtur pikat kufitare dhe personelin që shërben aty.

Sveçla në konferencë për media tha se pas vendosjes së barrikadave është ashpërsuar retorika e autoriteteve serbe dhe strukturave paralele, që, siç tha ai, kanë portretizuar angazhimin e Njësisë Speciale si represion për ta, transmeton Zeri.info.

Ai foli edhe për ofertën që KFOR-i ka bërë për t’u larguar Njësia Speciale, ofertë kjo që është pranuar nga autoritetet kosovare, por është refuzuar nga banorët serbë, e që sipas tij ky refuzim ka shpërfaqur qëllimin e tyre të vërtetë, se ata kanë qëllime të tjera politike me bllokimin e rrugëve në Jarinjë dhe Bërnjak.

“KFOR-i ka ofruar angazhime shtesë dhe sigurimin e pikave kufitare me forca shtesë, ne kemi thënë se me largimin e barrikadave prezenca e Njësisë Speciale është e panevojshme, por edhe kjo ofertë e komandantit të KFOR-it është refuzuar nga këto elemente ekstremiste dhe me këtë refuzim këta kanë dëshmuar se nuk janë të brengosur me praninë e Njësisë Speciale, por qëllimet e tyre janë thellësisht politike dhe në dëm të sovranitetit të vendit tonë”, ka deklaruar Sveçla në konferencën për media me homologun austriak Karl Nehammer, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë. /Zëri