Osmani “lutje të flaktë” Indisë: Kosova nuk është Kashmir, na njihni

Osmani “lutje të flaktë” Indisë: Kosova nuk është Kashmir, na njihni

Aktuale September 08, 2021 - 15:58

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka bërë një lutje të flaktë Indisë për ta njohur vendin e saj, duke e siguruar këtë të fundit se Kosova nuk është Kashmir.

Në një intervistë për televizionin indian WION, Osmani ka thënë: “Ne edhe një herë i bëjmë thirrje qeverisë së Indisë që pikë së pari të njohë vuajtjet e popullit të Kosovës nga regjimi gjenocidial i [Slobodan] Milosheviqit, dhe së dyti, të njohë realitetin në terren i cili nuk do të ndryshojë”.

Ajo iu përgjigj kështu një pyetjeje në lidhje me mosnjohjen e Kosovës nga India, transmeton Zeri.info.

Në vitin 2011, kabllogramet diplomatike të lëshuara nga “WikiLeaks” patën treguar se SHBA-ja kishte provuar t’i bënte presion Indisë që ta njohë Kosovën. New Delhi ende s’e ka njohur Kosovën, sepse druan se një paralele do të tërhiqet mes Kosovës dhe Kashmirit. Shumë shtete anëtare të OKB-së vazhdojnë të mos e njohin Kosovën.

“Është vetëm çështje kohe kur të gjitha vendet si India do t’iu bashkohen vendeve demokratike nëpër botë në njohjen e Republikës së pavarur dhe sovrane të Kosovës”, ka thënë Osmani në një paraqitje në një emision në WION.

Ajo tërhoqi vëmendjen për atë që kishte thënë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë: se pavarësia e Kosovës është brenda ligjit ndërkombëtar dhe nuk krahasohet me asnjë vend tjetër në botë. Ajo tha se mënyra se si Kosova u bë e pavarur e bën atë të ndryshme nga rajonet e tjera, përfshirë Kashmirin.

Duke vënë në dukje se shpërbërja e Jugosllavisë kishte krijuar disa shtete, përfshirë Kosovën, ajo tha “ky është një realitet që nuk mund të përmbyset”.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne që të kemi lidhje të shëndetshme dhe aktive me qeverinë indiane, popullin indian”, tha ajo, duke theksuar mundësitë e mundshme për bashkëpunim në sferat ekonomike, politike dhe diplomatike, transmeton Zeri.info.

“Me të vërtetë shpresoj se do të kemi një shans të paktën të takohemi, në mënyrë që zyrtarët indianë të dëgjojnë anën tonë të historisë. Është një histori vuajtjesh, këmbënguljeje, por edhe shprese të jashtëzakonshme për të ardhmen”.

Ajo pohoi se Kosova kurrë nuk ka qenë arsyeja e luftërave apo paqëndrueshmërisë, “Krejt e kundërta. Ne kemi bërë presion për stabilitet”.

Ajo vuri në dukje se shumica e aleatëve të Indisë e kanë njohur tashmë Kosovën. Ajo tha se GJND-ja vendosi në favor të pavarësisë së Kosovës sepse argumenti ligjor ishte në favor të saj, dhe me njohjen se situata atje është e ndryshme nga zonat e tjera si Kashmiri.

“Ne jemi të lirë dhe të pavarur sot dhe me të vërtetë shpresoj se mund të ulemi me qeverinë indiane në mënyrë që të mund të diskutojmë se si mund t’i përmirësojmë marrëdhëniet tona”.

“Po përpiqemi t’iu kontaktojmë dhe shpresoj se do të kemi një përgjigje pozitive. Unë mendoj se dëgjimi i argumenteve të të tjerëve është më e pakta që dikush duhet të bëjë. Duke dëgjuar anën tonë të historisë, që është e vërteta e cila konfirmuar nga gjykatat ndërkombëtare, është ajo që ne shpresojmë të jemi në gjendje t’i themi qeverisë indiane”, tha presidentja Osmani. /Zëri