Ish-ushtarja e UÇK-së, Agnesa Maloku, gruaja e parë që iu bashkua Policisë së Kosovës
Në 22-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, Agnesa Maloku, që nga ajo kohë i shërben uniformës së Policisë së Kosovës.
Po ashtu, ajo është gruaja e parë që kishte marrë detyrën si zyrtare policore në rajonin e Gjakovës.
Për herë të parë në prononcim, Maloku thotë se nuk ka pasur pengesa në punën e saj, ndërsa sot i takon Njësisë Speciale të Reagimit të Shpejtë.
“Mu nuk m’ka pengu dicka, kam pasur shumë mbështetje edhe prej qytetarëve për asye se edhe ka qenë diçka që iu ka rënë në sy si fillim se edhe në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si femer, pastaj jam bashkangjitur edhe në Polici”, thotë Maloku.
Nga shumë arrestime, ajo ka arrestuar më shumë meshkuj.
“Kam arrestuar më shumë meshkuj dhe nuk më ka penguar”, shprehet Maloku për RTK.
Për ta nderuar punën e Policisë, është mbajtur edhe një ceremoni, e cila filloi me homazhe në nderim të pjesëtarëve policorë të rënë në detyrë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se zyrtarët policorë gjithmonë do të jenë në sigurinë e qytetarëve.
“Tash pas dy dekadash, Policia e Kosovës në radhët e veta numëron 9,180 zyrtarë policorë, të cilët në çdo moment dhe rrethanë janë aty për të garantuar rendin dhe qetësinë publike dhe për të ofruar siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës", tha Sveçla.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Samedin Mehmeti adresoi një kërkesë për të gjithë zyrtarët.
“Unë si drejtues i juaji, ju drejtohem sot në këtë ditë të veçantë me kërkesën time që mos të shkelni asnjëherë këtë besim që qytetari ua ka dhënë, por të punoni fort, me profesionalizëm, kurajo dhe përkushtim, sepse vetëm puna e drejtë na bën të nderuar dhe respektuar”, tha Mehmeti.
Në fund të ceremonisë, u ndanë çmime për policët që kanë treguar sukses në punën e tyre./rtk