Këshilli Gjyqësor ia tërheq vërejtjen ministres Haxhiu
Këshilli Gjyqësor i Kosovës ia ka tërhequr vërejtjen ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duke i thënë që të përmbahet rreth çfarëdo deklarate që interferon në pavarësinë e gjyqësorit.
Ky reagimi i KGJK-së vjen pas deklaratës së ministres Haxhiu, e cila gjatë një konference të sotme për media, tha se nuk mund t’i mbështesë Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial “nëse i mbyllin sytë para skandaleve”.
Në reagim, KGJK-ja thotë se, “si institucion i pavarur”, është duke i përmbushur përgjegjësitë e tij kushtetuese dhe ligjore.
KGJK-ja ka thënë se reagimet dhe deklarata e Haxhiut nuk i kontribuojnë bashkëpunimit të institucioneve sepse përgjegjësitë e institucioneve për komunikim dhe bashkëpunim përcaktohen me Kushtetutë dhe ligj, dhe jo nga vullnetet personale.
“Përndryshe, KGjK, ka mekanizmat e vet për adresimin e secilës çështje që është përgjegjësi e KGjK-së, andaj çfarëdo përpjekje nga jashtë, përfshirë edhe deklaratat e Ministres Haxhiu, janë pa ndikim në mënyrën se si funksionon ky Këshill. Këshilli Gjyqësor, i siguron të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se do të vazhdojë të angazhohet për një sistem gjyqësor të pavarur, transparent dhe të paanshëm dhe i bën thirrje Ministres së Drejtësisë që të përmbahet rreth çfarëdo deklarate që interferon në pavarësinë e gjyqësorit”, thuhet në njoftim.
Haxhiu ndërkaq, në konferencën e sotme për media, tha se reagimi i KPK-së pas konferencës e djeshme të zëvendësministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, ishte i paqartë.
Ndër të tjera, ajo tha se vetë KPK-ja i kishte kërkuar ish-ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha, të ndërmerrte veprime për nxjerrjen e një udhëzimi për çështjen e pagesave për ekspertët mjekoligjorë, sepse siç u shpreh Haxhiu, ai udhëzim ishte i bazuar në një ligj të vjetër.
Ministrja dhe se pretendimet e dikasterit që ajo drejton janë të vërteta dhe të bazuara në ligjin në fuqi.
“Dje kemi bërë të ditur se me këtë rast është duke u marrë edhe Hetuesia. Relacionet mes Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Prokurorial dhe atij Gjyqësor padyshim që do të jenë të mira në momentin kur duam të bëjmë punë të mira. Unë nuk dua t’i mbështesë këto këshille kur ata duan t’i mbyllin sytë përballë skandaleve. Në momentin kur nuk ka reagime si ajo e incizimeve, natyrisht që do të kritikohen nga Ministria e Drejtësisë. Edhe sot paralajmëroj Këshillin Gjyqësor dhe Prokurorial nëse nuk duan të punojnë bashkërisht për kthimin e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë”, ka thënë mes tjerash ministrja Haxhiu. /Zëri