Vazhdon përballja me zjarret në Bjeshkët e Rugovës

Vazhdon përballja me zjarret në Bjeshkët e Rugovës

Aktuale August 06, 2021 - 18:17

Vendi po vazhdon të përballet me shpërthimin e zjarrit nëpër rajone të ndryshme, ndërsa situata më serioze vazhdon të jetë në Bjeshkët e Nemuna.

Përmes një njoftimi për media, Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se me të gjithë mekanizmat e saj, tash e shtatë ditë po vazhdon të ballafaqohet me situatën e zjarreve të krijuara si pasojë e temperaturave të larta, ku aktualisht po përballet me zjarrin në Parkun Kombëtar të Bjeshkëve të Nemuna në Shtupeq të komunës së Pejës.

“Në këtë incident janë të angazhuara me kapacitete të plota të gjitha Institucionet përgjegjëse, të cilat po koordinohen nga Qendra Operative e MPB-së. Në shuarjen e zjarreve janë të angazhuara: Ekipet e Zjarrfikësve, Policia e Kosovës, pjesëtarët e FSK-së, Autoritetet e Parkut dhe Ndërmarrjet Publike. Po ashtu për ndihmë në shuarjen e zjarreve nga ajri është angazhuar edhe KFOR-i”, thuhet në njoftim.

Po ashtu nga MPB-ja kanë thënë se ministri i këtij dikasteri ka vizituar disa vatra të zjarrit, në veçanti atë të Shtupeqit, për të parë nga afër zhvillimet në terren dhe për të ofruar mbështetje për forcat të cilat po merren me luftimin e zjarrit tash e disa ditë.

“Si rezultat i përkushtimit të drejtpërdrejtë në menaxhimin sa më të mirë të situatës së zjarreve në terren edhe anëtarët e kabinetit të MPB-së, kanë vizituar disa vatra zjarri si ato në Shtupeq, Mushtisht, Sallagrazhdë, si dhe në disa lokacione tjera”, është bërë e ditur në njoftimin e MPB-së.

Ministria e Punëve të Brendshme u ka bërë apel të gjithë qytetarëve të Kosovës që të kenë kujdes që të mos jenë shkaktarë të ndezjeve të zjarreve. /Zëri