Merret vendimi, nuk mund të shkoni në ahengje, qendra tregtare e klube pa u vaksinuar kundër COVID-19

Merret vendimi, nuk mund të shkoni në ahengje, qendra tregtare e klube pa u vaksinuar kundër COVID-19

Aktuale August 06, 2021 - 14:32

Oda e Hotelerisë dhe Turizmit e Kosovës ka mbajtur sot një takim me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.

Në një njoftim, OHT-ja ka bërë të ditur se është marrë vendim që vaksina anti-COVID të jetë obligative për qytetarët që do të marrin pjesë në aktivitete shoqërore, në qendra tregtare, klube të natës dhe ahengje familjare.

“Takimi ishte për qëllim të diskutimit rreth ngritjes së rasteve të të infektuarve me COVID-19 dhe nga ky takim u vendos të merret një vendim. Çdo qytetar i Kosovës në mënyrë që të marrë pjesë në çdo aktivitet shoqëror, qoftë qendër tregtare, klube të natës ose në ahengjet familjare, obligohet që të marrë vaksinën anti-COVID, sepse nga data 20 gusht do të kërkohet që të paktën dozën e parë ta kenë të përfunduar, përndryshe nuk mund të marrin pjesë në asnjë aktivitet”, thuhet në njoftim.

Ndërsa sa i përket stafit punues të këtyre sektorëve, obligohen që deri më 12 gusht të përfundojnë të paktën dozën e parë të vaksinimit.

Në njoftim theksohet se gjithashtu sa i përket orarit të klubeve të natës, është biseduar që të ketë zgjatje, pra këto aktivitete të fillojnë nga ora 23:00 deri në orën 03:00 pas mesnate.

Këto vendime priten të hyjnë në fuqi më 11 gusht. /Zëri