Miftaraj: Zotimet e bëra në Washington nuk kanë nevojë për rezoluta në Kuvend

Miftaraj: Zotimet e bëra në Washington nuk kanë nevojë për rezoluta në Kuvend

Aktuale August 06, 2021 - 13:44

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk e kanë miratuar sot rezolutën e LDK-së për zbatimin e Marrëveshjes së Washingtonit, marrëveshje kjo që u arrit më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë, raporton Zeri.info.

Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka thënë për “Zërin” se zotimet, të cilat janë nënshkruar në Washington, duhet të trajtohen me seriozitet dhe në koordinim të plotë me administratën e presidentit amerikan Joe Biden.

“Zotimet ndërkombëtare të firmosura në Washington DC në prani të presidentit amerikan nga përfaqësuesit e Republikës së Kosovës duhet të trajtohen me seriozitet, në bashkëpunim dhe në koordinim të plotë me administratën ‘Biden’ të diskutohet modalitetet për të zbatuar ato fusha që janë me interes për Republikën e Kosovës”, ka thënë Miftaraj.

Tutje, ai ka shtuar se një zotim që është bërë në Washington nuk do të ishte e nevojshme të sillej në Kuvend për rezolutë.

“Një zotim ndërkombëtar në Shtëpinë e Bardhë nuk do të duhej fare të sillte nevojën për rezoluta të tilla, sikurse raportet Kosovë - SHBA asnjëherë nuk do të duhej të jenë fushëbetejë pozitë - opozitë”, ka thënë Miftaraj për “Zërin”.

Pro kësaj rezolute votuan vetëm 24 deputetë, ndërkaq 57 abstenuan. Deputetët e partisë në pushtet, ata të Lëvizjes Vetëvendosje, abstenuan për miratimin e saj, derisa në sallë ishin gjithsej 83 deputetë.

Përmes kësaj rezolute i bëhej thirrje Qeverisë së Kosovës që të zbatonte këtë marrëveshje dhe të përgatiste një plan veprimi që do t’i dorëzohej Kuvendit. /Zëri