Përgatitet drafti i parë i projektligjit për Konfiskim të Pasurisë

Përgatitet drafti i parë i projektligjit për Konfiskim të Pasurisë

Aktuale August 05, 2021 - 18:25

Ministria e Drejtësisë ka përfunduar sot draftin e parë të Projektligjit për Konfiskim të Pasurisë së Fituar në Mënyrë të Pajustifikueshme.

Këtë e ka bërë të ditur zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu i cili ka thënë se ky draft i projektligjit do t’i dorëzohet tek 5 ekspertë të përzgjedhur ndërkombëtarë, të cilët do ta harmonizojnë atë me praktikat dhe standardet evropiane, transmeton Zeri.info.

“Pas disa muajsh pune me plot përkushtim e seriozitet, me diskutime të gjera e analiza të gjata, sot e përfunduam draftin e parë të Projektligjit për Konfiskim të Pasurisë së Fituar në Mënyrë të Pajustifikueshme. Këtë draftligj po e procedojmë tutje tek 5 ekspertë të përzgjedhur ndërkombëtarë, të cilët me përvojën e dijen e tyre perëndimore, sipas nevojës do ta plotësojnë e harmonizojnë atë me praktikat dhe standardet më të mira evropiane. Pas shqyrtimit nga ekspertët, këtij Projektligji do t'i japim dritën e gjelbër në grupin e gjerë punues, duke i iniciuar procedurat për t'ia dërguar Qeverisë dhe më pas Kuvendit”, ka shkruar Sallahu.

Ai e ka cilësuar këtë si një ndër ligjet më të rëndësishme të agjendës legjislative.

“Ky do të jetë ndër ligjet më të rëndësishme të agjendës sonë legjislative sepse shteti e qytetarët tanë kanë lënguar nga mungesa e drejtësisë. Tani e tutje nuk do të jetë më njësoj! Shantazhet dhe kërcënimet e atyre që nuk e duan drejtësinë nuk mund të na trembin përkundrazi ato janë infuzion për ne për të ecur edhe më shpejt në realizim të objektivave tona”, ka shkruar ai. /Zëri