Apeli kthen në rivendosje rastin ndaj Liburn Aliut dhe të tjerëve

Apeli kthen në rivendosje rastin ndaj Liburn Aliut dhe të tjerëve

Aktuale August 05, 2021 - 16:16

Gjykata e Apelit e Kosovës ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë në çështjen penale kundër të akuzuarve Liburn Aliu, Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha-Prestreshi.

“Aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë - Departamenti për Krime të Rënda, i datës 14.06.2021, është anuluar dhe çështja i kthehet Gjykatës së njëjtë në rivendosje”, ka njoftuar Gjykata e Apelit.

Apeli kujton se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, me aktvendimin e datës 14.06.2021, “kishte hedhur aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë të datës 24.07.2020 dhe kishte pushuar procedurën penale kundër të akuzuarve L.A., A.O., Z.R., N.K.,B.U. dhe M.B-P”.

“Gjykata e Apelit e Kosovës pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe ankesës së PTH-së në Prishtinë, në këtë çështje penalo-juridike, vlerësoi se aktvendimi i ankimuar duhet anuluar dhe kthyer në rivendosje”, u tha në njoftimin e Gjykatës së Apelit.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 14 qershor të këtij viti, aprovoi kërkesat për hedhje të aktakuzës për korrupsion ndaj ministrit aktual të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe të akuzuarve të tjerë, Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha-Prestreshi.

Vendimin për hedhjen e aktakuzës e kishte marrë kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Alban Ajvazi.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, në çështjen penale kundër të akuzuarve L.A., A.O., Z.R., N.K., B.U.,dhe M.B.-P. për shkak të veprës penale në bashkëkryerje Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 par.1 lidhur me nenin 31 të të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ndërsa të akuzuarit A.O., B.U. dhe M.B-P. edhe për veprën penale në bashkëkryerje Mosekzekutim i vendimeve gjyqësore nga neni 402 par.2 lidhur me paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë-Departamenti për Krime të Rënda, PP.I.nr.105K/2018 të datës 24.07.2020, jashtë seancës së shqyrtimit gjyqësor ka vendosur lidhur me kërkesat për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtim të provave të paraqitura nga mbrojtësit e të akuzuarve dhe ka aprovuar kërkesat për hedhjet të aktakuzës dhe kundërshtim të provave të paraqitura nga mbrojtësit e të akuzuarve L.A., A.O., Z.R., N.K., B.U.,dhe M.B.-P., kundër aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë-Departamenti për Krime të Rënda, PP.I.nr.105K/2018 e datës 24.07.2020, si i pabazuar”, thuhej në njoftimin e Themelores.

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, njoftonte aso kohe se ka hedhur aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë-Departamenti për Krime të Rënda “dhe ka pushuar procedurën penale kundër të akuzuarve L.A., A.O., Z.R., N.K., B.U., dhe M.B.-P., për veprat penale të përshkruara si më lartë”.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare për kohën kur ishte drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Prishtinës. /Zëri