Zjarret në Kosovë, aktive kanë mbetur 10 vatra
Nga 50 vatra zjarri në Kosovë aktive kanë mbetur vetëm 10.
Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, Nehat Koqinaj. Të dhënat janë deri në orën 16:00 të së hënës.
“Gjatë ditës kemi pasur edhe deri në 50 vatra zjarri, por që kanë mundur të lokalizohen, falë edhe ndërhyrjes së KFOR-it”, ishte shprehur Koqinaj, duke thënë se rajoni më i goditur nga zjarret është ai i Pejës, e sidomos fshati Shtupeq.
Koqinaj tha se Kosova ka nevojë të madhe për helikopterë në mënyrë që sa më mirë të menaxhohen situatat nga fatkeqësi të ndryshme.
Situata me zjarre në Kosovë vazhdon të jetë problematike në disa rajone të Kosovës.
Falë angazhimit të Brigadës së Zjarrfikësve në Gjakovë, Policisë së Kosovës dhe ndihmës nga Komuna e Junikut, është arritur që të shuhet zjarri në fshatin Nec të Gjakovës.
Zjarr ka pasur edhe në komunën e Malishevës, Suharekës, Deçanit.
Pas situatës me zjarre, Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media thekson se referuar situatës në të cilën ndodhemi lidhur me përhapjen e disa zjarreve nëpër lokalitete të ndryshme të vendit tonë, me kapacitetet e saj në dispozicion po angazhohet me përkushtim në parandalimin dhe shuarjen e zjarreve duke ofruar asistencë me pajisje policore si topat e ujit si dhe duke koordinuar aktivitetet me agjencionet tjera në të gjitha rajonet ku janë raportuar vatra zjarri.
“Policia e Kosovës është angazhuar në mënyrë intensive në hetimin e shkaktarëve të zjarreve dhe të gjithë personat/individët që dyshohen se kanë shkaktuar zjarrvënie të qëllimshme, apo si pasojë e neglizhencës së tyre, do të përballen me organet e drejtësisë”.
Edhe ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, u ka bërë sot thirrje qytetarëve që të denoncojnë çdo abuzim nga persona të ndryshëm në lidhje me ndezjen e zjarreve të fundit në Kosovë.
Thirrja e ministrit Mehaj vjen pas shtimit të vatrave të zjarrit në disa lokacione të vendit, përfshirë malet e Sharrit dhe Rugovës.
Ministria e Mbrojtjes, ka thënë Mehaj, është në monitorim, analizë dhe vlerësim të situatës së krijuar dhe që nga dita e parë e shpërthimit të zjarreve ka angazhuar njësitet e specializuara për reagim në lokalizimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit.
Ndryshe, deri tani lidhur me zjarrvënie Policia e Kosovës ka identifikuar dhe arrestuar dy të dyshuar. Njëri është arrestuar në Zubin Potok dhe tjetri në Babimovc të Obiliqit. /Telegrafi