OAK-ja dhe ARKEP-i kërkojnë përdorimin e IP adresave të Shqipërisë në vend të atyre të Serbisë

OAK-ja dhe ARKEP-i kërkojnë përdorimin e IP adresave të Shqipërisë në vend të atyre të Serbisë

Aktuale August 02, 2021 - 16:25

Paraqitja e problemeve me IP adresat nga operatorët kabllorë, vendosja e rregullave për përdorimin e IP adresave, nxjerrja e një rregulloreje që do të obligonte operatorët për marrjen e IP adresave nga Shqipëria deri në marrjen e IP-ve zyrtare të Kosovës si dhe aranzhimi i takimit me operatorët, ishin disa nga çështjet kryesore të cilat u diskutuan në mes Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK) dhe përfaqësueseve të bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP).

OAK-ja përgjatë këtij takimi ngriti për të disatën herë tashmë problemin e provajderëve me përdorimin e IP adresave të shtetit serb, duke theksuar se me këtë veprim po dëmtohen qytetarët dhe bizneset.

Kryetari i bordit të ARKEP-it, Nazim Rahimi duke falënderuar OAK-në për inicimin e këtij takimi theksoi, agjencia që ai drejton është e gatshme të ndihmojë dhe të bashkëpunojë në ngritjen dhe zgjidhjen e kësaj çështjeje.

Ai poashtu potencoi se do të iniciojë aranzhimin e një takimi me operatorët për të parë nga afër se pse është duke ndodhur një gjë e tillë.

“OAK-ja ka lobuar edhe më herët tek institucionet vendore që të bëhet ky ndryshim i IP adresave nga Serbia apo Mali i Zi në ato të Shqipërisë, gjë e cila falë bashkëpunimit të ndërsjellë është arritur. Megjithatë kohët e fundit po vërejmë që operatorët kanë kthyer përsëri IP adresat e mëparshme”, citohet të jetë thënë në këtë takim.

Oda e Afarizmit të Kosovës ka thënë se në vazhdimësi është duke pranuar ankesa nga qytetarët dhe nga biznesi i mediave, tek të cilat në fund të faqeve po shfaqen reklama në gjuhen serbe, “ku me këtë rast në vend që të ofrohen reklama dhe oferta në gjuhën shqipe, qytetarëve dhe bizneseve po i ofrohen ato nga një shtet i huaj konkretisht nga Serbia, që është kundër Republikës së Kosovës”.

“Si Odë kërkojmë fuqishëm që kjo çështje të procedohet tutje, duke pasur parasysh interesin shtetëror, ekonomik dhe qytetar”, kanë thënë përfaqësuesit e OAK-së. /Zëri