Për përgjimet e prokurores Shemsie Asllani, reagon zëvendësministri i Drejtësisë
Një portal me emrin “Shqip.com”, dje publikoi dy video për të cilat pretendon se inkriminojnë prokuroren e krimeve të rënda në Prishtinë, Shemsie Asllanin.
Në ato përgjime, një grua dëgjohet duke folur me një burrë. Për gruan, portali pretendon se është prokurorja Shemsie Asllani, ndërsa bashkëbiseduesin nuk e identifikojnë me emër.
Aq sa kuptohet nga biseda e siguruar nga Shqip.com në mes të personit ende të paidentifikuar dhe prokurores, bëhet fjalë për një veturë të cilën telefonuesi thotë se ia kanë konfiskuar pa të drejtë, po ia mbajnë qëllimisht dhe përgjegjës e bën kryeprokurorin e shtetit, Aleksandër Lumezi.
Asllani, sipas portalit, në fillim të bisedës thekson se telefonata i duket e panevojshme, por më pas i shtohet interesi, kur dëgjon disa nga informacionet që i ka telefonuesi për të.
Përgjimet më pas shfaqin prokuroren Shemsie Asllani duke folur për ushtrim të ndikimit në zyrtarë të tjerë duke përfshirë edhe zyrtarë në Agjencinë Kosovare për Inteligjencë “AKI”.
Për këtë rast ende nuk kanë reaguar nga Prokuroria e Shtetit, mirëpo reagim pati nga zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu.
Ai u çudit pse nuk pati reagim nga institucionet përkatëse deri në këto momente.
“Dje u publikuan 2 përgjime të prokurores së krimeve të rënda për të cilat nuk pamë asnjë reagim të institucioneve përkatëse, dhe jo vetëm, ndërkaq u paralajmëruan edhe pjesë të tjera të përgjimeve. Në këto përgjime të publikuara nga portal ‘Shqip’ u përmenden edhe emra të tjerë si ai i kryeprokurorit të shtetit e i gjyqtarit Driton Muharremi. Institucionet e drejtësisë duhet të jenë shembull për këdo. Prokurorët dhe gjyqtarët duhet të kenë edhe integritet moral por edhe profesional dhe çfarëdo veprimi që cenon integritetin duhet të ndëshkohet. Në vendin tonë kemi parë më herët afera si ajo ’Pronto’ që ka qenë ndër skandalet më të mëdha në Kosovën e pasluftës me ç’rast kemi parë ndikimin e madh të pushtetit veçanërisht në sistemin e drejtësisë. Çdo ditë e më shumë po dëshmohet se vetingu në sistemin e drejtësisë nuk ka alternativë. Vetëm përmes vetingut ne mund të sigurojmë që brenda sistemit të drejtësisë do të ketë vetëm njerëz që i binden ligjit dhe jo ndikimeve e as shantazheve a kërcënimeve. Ne i bëjmë thirrje këshillave përkatës të mos qëndrojnë të heshtur por të ndërmarrin veprime në përputhje me kompetencat”, tha Sallahu, raporton Zeri.info.
Në këto përgjime, personi i paidentifikuar dëgjohet duke i thënë siç pretendohet prokurores Asllani ta ketë parë në një dosje të gjatë emrin e saj dhe fotografi të sajat. Ajo dosje, personi i paidentifikuar thotë se është duke u përgatitur kundër Aleksandër Lumezit nga “disa perëndimorë”, e të cilën dosje pretendon ta ketë parë ai.
Për më shumë, përgjimet mund t’i dëgjoni në linqet më poshtë: