KMDLNJ: Po bashkëpunim rajonal, por pasi të sqarohet e kaluara

KMDLNJ: Po bashkëpunim rajonal, por pasi të sqarohet e kaluara

Aktuale July 29, 2021 - 14:34

Sot në Shkup është mbajtur takimi midis Edi Ramës, kryeministër i Shqipërisë, Aleksandar Vuçiqit, kryetar i Serbisë dhe Zoran Zaevit, kryeministër i Maqedonisë së Veriut, në përpjekje për ta jetësuar idenë e tyre për “Mini-Shengenin Ballkanik” , tash me një emërtim tjetër.

Kryeministri i Kosovës, z. Albin Kurti, ka refuzuar pjesëmarrjen me arsyetim se përmes këtij mekanizmi po bëhet përpjekja për rikthim dhe ringjallje të një Jugosllavie të re. Që të tre “baballarët” e këtij miniunioni ballkanik kanë deklaruar se: “nuk mund të mbesim peng të së kaluarës dhe se duhet të ndërtojmë të ardhmen e popujve të Ballkanit” e që ky “Mini-Shengen Ballkanik” paraqet bërthamën për jetësimin e kësaj ideje…

Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia për një kohë të gjatë janë përfitues të liberalizimit të vizave, madje kanë bërë hapa të mëdhenj drejt avancimit të proceseve integruese në kohën kur Kosovës, krejtësisht padrejtësisht i mohohet njëra ndër të drejtat elementare të njeriut e që konsiderohet si vlerë e shtuar nga BE-ja liria e lëvizjes, e cila është e pamundur për faktin se Kosova është i vetmi vend në Evropë që nuk i janë liberalizuar vizat, ndonëse i ka plotësuar të gjitha kriteret teknike, por duket se kjo në heshtje po kushtëzohet me arritjen e një marrëveshjeje politike me Serbinë e që nuk po thuhet publikisht. Republika e Kosovës nuk ka interes të mbyllet hermetikisht dhe nuk e bëjmë këtë por, duke e krahasuar me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ka pësuar shumë në luftën e fundit, prandaj e ka të pamundur ta tejkalojë këtë çështje pa u sqaruar e kaluara e që Serbia me kokëfortësi dhe arrogancë po refuzon te ballafaqohet me të kaluarën e saj kriminale, nuk dëshiron ta pranojë përgjegjësinë dhe fajësinë shumë konkrete për krimet e kryera në Kosovë: krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit, deri në gjenocid. Serbia po e zbaton në praktikë ndjenjën e pandëshkueshmërisë për kriminelët e saj dhe po projekton dhe prodhon “kriminelë” në radhët e shqiptarëve (viktimave), duke mos e pranuar as aktin fillestar simbolik siç është kërkim falja e që është vetëm hap i parë drejt normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën. Për më keq, në mënyre flagrantë po ndërhyn në punët e brendshme të një shteti sovran dhe të pavarur, duke bërë përpjekje për destabilizim afatgjatë të Kosovës përmes instrumentalizmit të pakicës serbe ne Kosovë.

KMDLNJ-ja viktimat i konsideron si viktima pavarësisht përkatësisë etnike e fetare, bindjeve politike, kulturore dhe statusit në shoqëri. Të njëjtat kritere i konsideron të domosdoshme edhe për ata që kanë urdhëruar, nuk kanë penguar ose kanë bërë krime në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare humanitare. Me një fjalë, nuk ka të ardhme pa u sqaruar e kaluara, nuk ka të ardhme pa u siguruar drejtësi për viktimat dhe përgjegjësi të atyre që u dëshmohet se kanë bërë krime.

Duket se për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut e kaluara është lehtësisht e pranueshme, kurse për Kosovën është e pamundur të pranohet në këtë formë dhe përmbajtje.

Madje , nëse Qeveria e Kosovës nuk e përmbush detyrimin kushtetues për sigurimin e drejtësisë për të gjitha viktimave dhe përgjegjësisë për të gjithë kriminelët do të identifikohet si shkelëse e të drejtave të njeriut për moszbatim të ligjit e që qartazi për Shqipërinë dhe Maqedoninë nuk paraqet fare problem, as ligjor e as moral. Nga e tëra kjo Serbia vetëm i fërkon duart, duke i larë si Pont Pilati për krimet e bëra në Kosovë dhe hapësirat e ish-Jugosllavisë.