Armend Agolli, kandidat potencial i LDK-së për kryetar të Mitrovicës
Të shumtë janë kandidatët që kanë zyrtarizuar kandidaturat e tyre për zgjedhjet lokale të 17 tetorit.
Partia e cila ka bërë të ditur listën pothuajse të plotë për çdo komunë është Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
Por nga kjo parti ende nuk ka një zyrtarizim për komunën e Mitrovicës, raporton Zeri.info.
Nga burime të afërta me procesin, “Zëri” ka marrë vesh se kandidat potencial për këtë komunë pritet të jetë neurokirurgu i njohur, Armend Agolli.
Armend Agolli është lindur në vitin 1966 në Mitrovicë. Në vitin 1990 ka diplomuar në Degën e Mjekësisë në Prishtinë. Gjatë periudhës 1992-1993 ka punuar si mjek në Turqi.
Në vitin 1998 kishte shkuar në Suedi, teksa gjatë vitit 1999 ishte kthyer në Kosovë për të shërbyer si mjek në Koshare, në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Momentalisht Agolli punon si neurokirurg spinal në një ordinancë në lagjen “Ulpiana” në Prishtinë, si dhe në klinikën private “Otrila”.
Kryetar aktual i Mitrovicës është Agim Bahtiri, i cili e ka paraqitur kandidaturën e tij në organet e partisë edhe për një mandat.
Nga Lëvizja Vetëvendosje kandidaturën për Mitrovicë e ka paraqitur edhe Fatmir Hasani nga diaspora.
Nga kjo parti kanë thënë se emrat për kandidatë të komunave do të publikohen deri më 15 gusht.
Kurse nga PDK-ja është përfolur si kandidat potencial për të parin e Mitrovicës, Bedri Hamza.
Në muajin tetor Kosova pritet t’u drejtohet sërish kutive të votimit për të zgjedhur drejtuesit lokalë.
Zgjedhjet e fundit lokale në Prishtinë janë mbajtur më 22 tetor 2017. /Zëri