Muhaxheri: Të lirohen zyrtarët e arrestuar në Pejë, janë me sëmundje kronike

Muhaxheri: Të lirohen zyrtarët e arrestuar në Pejë, janë me sëmundje kronike

Aktuale July 15, 2021 - 16:15

Kryetari i komunës së Pejës Gazmend Muhaxheri, ka kritikuar aksionin e sotshëm në rajonin e Dukagjinit, pasi sipas tij nuk ka ndonjë arsye pse zyrtarët duhet të arrestohen në mënyrë “spektakolare”.

Muhaxheri ka apeluar te organet e drejtësisë që dy zyrtarët e arrestuar në Pejë të lirohen, sepse siç bën të ditur ai, janë me sëmundje kronike.

Muhaxheri po ashtu ka theksuar se si komunë besojnë se zyrtarët e arrestuar janë të pafajshëm.

“Ne jemi të thirrur, që organet e drejtësisë të zbatojnë ligjin, por jo në këtë mënyrë. Nëse ka shkelje të ligjit ato mund të konstatohen, pse duhet të arrestohen njerëzit në mënyrë spektakolare kur të gjithë kanë qenë të qasshëm për prokurorinë edhe kanë mund t'i japin deklaratat e tyre. Ne si Komune kemi qenë tri vjet pjesë e kampanjave të tilla dhe ka rezultuar deri në Gjykatë Supreme si te pafajshëm, po ashtu besoj, që zyrtarët e sotëm te arrestuar janë të pafajshëm. Bëjë apel te organet e drejtësisë, që këta dy zyrtarë janë me sëmundje kronike të lirohen dhe të vazhdojnë me procedurat e rregullta nëse ka.”, ka thënë Muhaxheri në një konferencë për media, bëhet e ditur në njoftimin e komunës së Pejës.

Dhjetë zyrtarë janë arrestuar sot në një aksion të Prokurorisë dhe Policisë në tri komuna të rajonit të Dukagjinit.

Detaje për aksionin ka dhënë kryeprokurori i Pejës, Agim Kurmehaj, i cili ka thënë se aksioni i bastisjes dhe më pas arrestimeve është bërë në Komunën e Pejës, të Istogut dhe të Klinës, ndërsa të arrestuarit janë drejtorë të urbanizmit, si dhe inspektorë që dyshohen për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës dhe autoritetit zyrtar”. /Zëri