Shqyrtohet mundësia e kompensimit të kulturave bujqësore për dëmet e shkaktuara nga shiu dhe breshri në Drenas
Kulturat bujqësore në disa vendbanime të komunës së Drenasit janë dëmtuar sot nga stuhia e shiut dhe breshrit.
Në një postim në Facebook, kjo komunë ka njoftuar se zyrtarë nga Drejtoria e Bujqësisë kanë dalë në fshatrat ku ka pasur dëme më të mëdha për të evidentuar dhe monitoruar gjendjen.
“Po ashtu edhe ekipet emergjente të Drejtorisë së Shërbimeve Publike së bashku me shërbimin e zjarrfikësve kanë dalë në terren dhe kanë hapur kanalet atmosferike të cilat kanë penguar qarkullimin e automjeteve si pasojë e të reshurave të furishme të shiut e breshëri. Dëmet në kultura bujqësore, objekte banimi e vetura janë kryesisht në Drenas, Shtrubullovë, Krajkovë, Damanek, Poklek, Tërstenik dhe fshatra të tjera”, thuhet në njoftim.
Më tej, bëjet e ditur se në bazë të kërkesave të cilat do të adresohen nga të dëmtuarit, Komisioni Komunal për Vlerësimin e Dëmeve do të dal në terren për t’i vizituar fermerët dhe ekonomitë familjare që janë dëmtuar dhe pas vlerësimit të dëmeve të shkaktuara nga breshëri, do të hartohet raporti përfundimtar i cili do të përcjellët në nivelin qendror për mundësinë e kompensimit. /Zëri