Memli Krasniqi, pa kundërkandidat për kryetar të PDK-së
Memli Krasniqi nuk do të ketë kundërkandidat në garën për kryetar të PDK-së, raporton Zeri.info.
Kështu ka bërë të ditur anëtari i kësaj partie Bedri Hamza përmes një konference për media.
“Ka qenë një proces i hapur. Të gjithë ata që kanë pasur dëshirë dhe gatishmëri kanë mundur të hyjnë në garë për t’u zgjedhur si kryetar i PDK-së. Aktualisht e kemi një kandidat dhe ai është Memli Krasniqi, një personalitet i cili i plotëson të gjitha kushtet për t’u zgjedhur kryetar i PDK-së”, ka thënë Hamza.
Ai ka thënë se PDK-ja ka treguar qëndrueshmëri edhe pse ka qenë e goditur nga shkuarja e ish-kryetarit Kadri Veseli dhe ish-presidentit Hashim Thaçi në Hagë.
“Është një proces për ta zgjedhur një kryetar, i cili e kthen PDK-në fuqishëm drejt fitores për ta qeverisur vendin. Ne kemi treguar një qëndrueshmëri dhe kemi arritur që të jemi partia më e madhe opozitare”, ka përfunduar ai. /Zëri