Kurti për “Le Monde”: Vuçiqi ende mendon se si ta rimarrë Kosovën – Serbia duhet të demokratizohet
Foto: AFP

Kurti për “Le Monde”: Vuçiqi ende mendon se si ta rimarrë Kosovën – Serbia duhet të demokratizohet

Aktuale June 25, 2021 - 13:27

Kryeministri Albin Kurti, më 15 qershor u takua për herë të parë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja në Bruksel.

Ndërkaq, gjatë të mërkurës, ai qëndroi në Paris ku zhvilloi një takim me kreun e shtetit francez, Emmanuel Macron, raporton Zeri.info.

Gjatë qëndrimit atje, Kurti ka dhënë një intervistë për gazetën e madhe franceze, “Le Monde”, e cila në parahyrjen e intervistës thotë se kryeministri Kurti është ish-aktivist i krahut politik të UÇK-së, i cili, gjatë kohës së luftës në Kosovë, ishte burgosur për dy vjet në Serbi. Ai më pas krijoi Lëvizjen Vetëvendosje, me një agjendë revolucionare, dhe u bë kundërshtar i ashpër i “qeverive pasuese të komandantëve të UÇK-së”.

Albin Kurti tani është një social-demokrat, dhe u zgjodh në bazë të një platforme për të luftuar papunësinë, korrupsionin dhe krimin e organizuar. Pas një kohe të kufizuar si kryeministër më 2020, lëvizja e tij fitoi në shkurt zgjedhjet e përgjithshme me një fitore të qartë, dhe u rikthye në qeveri më 22 mars. Trembëdhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, prioriteti i saj diplomatik është sigurimi i njohjes nga Serbia, të cilën Beogradi e ka refuzuar vazhdimisht që nga konflikti.

Në intervistë, Kurti flet për takimin me Vuçiqin si dhe për qasjen e këtij të fundit karshi raporteve me Kosovën.

Më poshtë, “Zëri” ju sjell një pjesë e kësaj interviste:

“Le Monde”: Ju sapo keni takuar për herë të parë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel. Cilat janë përshtypjet tuaja?

Ky është takimi i parë për një dialog në të ardhmen. Nuk ishte i lehtë, por konstruktiv. Kam insistuar që asgjë të mos fshihet nën tepih, pra që çështja e njohjes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë duhet të adresohet me sinqeritet. Të gjithëve na duhet kjo njohje reciproke. Zotëri Vuçiqi u përgjigj duke thënë se kurrë nuk do ta njohë Kosovën. Mospranimi i realitetit në njërën anë, apo e vërteta në anën tjetër, vjen nga e njëjta logjikë. Serbia duhet të distancohet nga ditët e [Slobodan] Milosheviqit, i cili nisi me aparteid dhe përfundoi me gjenocid në Kosovë. Liderët e Serbisë duhet të ndahen nga trashëgimia e Milosheviqit.

Pavarësia e Kosovës është 13-vjeçare. Nuk mund të kemi diskutime siç kemi bërë para 2008. Që nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë më 2010, i cili validitoi faktin se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur ligjin ndërkombëtar, ky debat është mbyllur. Nuk do ta diskutoj statusin e Kosovës, është çështje e zgjidhur. E vetmja çështje sot është marrëdhënia mes Kosovës dhe Serbisë. Vuçiqi duhet ta kuptojë këtë. Vuçiqi ende e konsideron Kosovën territor të cilin Serbia një ditë duhet ta rikthejë, pa marrë në konsideratë popullin dhe qytetarët e saj. Serbia duhet të përballet me të kaluarën dhe të bëhet më demokratike.