![Kryeziu: Një dialog pa marrëveshje finale s’është asgjë më shumë se vetëm vazhdim i një politike](/uploads/zeri.info/images/2021/June/16/auto_Ismet_Kryeziu1623835885.jpg)
Kryeziu: Një dialog pa marrëveshje finale s’është asgjë më shumë se vetëm vazhdim i një politike
Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, pas takimit bilateral në mes të kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiqin në Bruksel tha se Kurti do të duhej të kërkonte marrëveshjen finale me Serbinë, si dhe të synonte afatizim kohor.
Sipas tij, pjesëmarrja në një dialog pa marrëveshje finale s’është asgjë më shumë se vetëm vazhdim i një politike të papërgatitur për dialogun me Serbinë.
“Kryeministri Kurti, do duhej te kërkonte marrëveshjen finale me Serbinë dhe të synonte afatizim kohor. E më pastaj, temat mund të jenë të panumërta dhe të karaktereve të ndryshme, që mund të dakordohen dy shtetet mes vete, duke u bazuar në marrëveshjen finale.
Përndryshe, pjesëmarrja në një dialog pa marrëveshje finale, i nisur nga temat, s’është asgjë më shumë se vetëm vazhdim i një politike të papërgatitur për dialogun me Serbinë. Për më tepër, është përshtatje ndaj nevojave të Serbisë dhe disa shteteve burokratike të cilat s'kanë asnjë interes se çfarë po ndodh me Kosovën”, thotë ai përmes një shkrimi në Facebook, transmeton Zeri.info.
Kryeziu theksoi se “Delegacioni i Kosovës duhet të jetë pjesë e dialogut jo për shkak të presionit ndërkombëtar, por për shkak të interesit për t'i zgjidhur shumë çështje me Serbinë si shtete fqinje”. /Zëri