Abdixhiku: Asnjëherë s’mund të harrojmë punën e madhe që NATO ka bërë në Kosovë

Abdixhiku: Asnjëherë s’mund të harrojmë punën e madhe që NATO ka bërë në Kosovë

Aktuale June 12, 2021 - 11:21

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, përkujton dhe falënderon të gjithë ata që dhanë kontribut deri në pavarësinë e Kosovës, në 22 vjetorin e përfundimit të bombardimeve të NATO-s.

Abdixhiku ka thënë se asnjëherë nuk mund ta harrojnë punën e madhe që NATO ka bërë në Kosovë.

“Sot, Kosova shënon Ditën e Çlirimit. Njëzet e dy vjet më parë, NATO-ja me fushatën e bombardimeve kundër forcave serbe, shënoi fillimin e fundit të luftës së kahmotshme në Kosovë. Asnjëherë s’mund të harrojmë punën e madhe që NATO me të gjitha kontigjentet e saj ka bërë në Kosovë edhe në kohën e intervenimit 78 ditë dhe netë që i dhanë fund gjenocidit e masakrave ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe mundësuan kthimin e qindra mijëra refugjatëve në shtëpitë e tyre”, tha thënë ai.

Ai thotë se është mirënjohës të gjithë miqve ndërkombëtarë që ende vazhdojnë ta ndihmojnë forcimin e demokracisë së Kosovës.

“Aleanca ushtarake më e fuqishme në botë u vu në mbrojtje të vlerave të paqes dhe demokracisë. Sot, ne shprehim mirënjohjen e thellë për Aleancën Veriatlantike dhe bashkësinë ndërkombëtare që u vunë në mbrojtje të luftës së drejtë të popullit tonë për Liri, Pavarësi e Demokraci. U jemi thellësisht mirënjohës të gjithë miqve tanë ndërkombëtarë që edhe sot vazhdojnë ta ndihmojnë forcimin e demokracisë së vendit tonë”.

“Sot, ne kujtojmë Presidentin Historik Dr. Ibrahim Rugova, Familjen Jashari dhe të gjithë ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe secilin qytetar të Kosovës, që dhanë jetën e tyre që gjeneratat tona ta gëzojnë lirinë”, tha Abdixhiku./Zëri