Osmani, Kurti e Konjufca vendosin kurora lulesh te pllaka përkujtimore e ushtarëve të rënë të NATO-s

Osmani, Kurti e Konjufca vendosin kurora lulesh te pllaka përkujtimore e ushtarëve të rënë të NATO-s

Aktuale June 12, 2021 - 09:57

Presidentja e vendit Vjosa Osmani së bashku me kryeministrin Albin Kurti dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca kanë vendosur kurora lulesh te Pllaka Përkujtimore e ushtarëve të rënë të NATO-s, me rastin e 22-vjetorit të Ditës së Paqes.

Osmani ka thënë se me 12 qershor ushtarët e NATO-s së bashk me UÇK-në, i dhanë fund vuajtjeve.

“Për të nderuar kontributin e jashtëzakonshëm, të cilët i qëndruan përkrah Kosovës në momentet më të errëta, Po ashtu edhe për vazhdimin e kontributin i cili nuk është ndalur, e që vazhdon edhe sot. 12 qershori hyrja e forcave të NATO-s së bashku me UÇK-në i sollën Kosovën lirinë e çlirimin dhe paqen, pas shumë vuajtjeve. Kjo pllakë e shënon historinë e re të Kosovës dhe bashkëpunimin me aleatët tonë”, tha ajo.

Ndërsa, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka deklaruar se liria e Kosovës ka ardhur si kontribut i ushtarëve të UÇK-së si dhe kontributit të faktorëve ndërkombëtar.

“Siç dihet liria jonë ka ardhur si kontribut i ushtarëve të UÇK-së, por po ashtu edhe prej bashkimit dhe kontributit tonë me faktorët ndërkombëtar dhe si rezultat i kësaj ne u çliruam nga okupimi i Serbisë. Për faktin se NATO ka ndërhyrë flet se kauza jonë ishte shumë e drejtë”, ka thënë Konjufca.

Ndërkaq, shefi i ekzekutivit të shtetit, Albin Kurti ka thënë se më 12 qershor kremtojmë paqen, çlirimin dhe lirin e vendit.

“Në qershorin e vitit 1999 kishim zjarr në qiell dhe zjarr në tokë por më 12 qershor këmbësoria e NATO-s i bashkohet ndërhyrjes nga ajri kundër Jugosllavisë dhe Millosheviqit për ta ndaluar gjenocidin mbi popullin shqiptar. Më 12 qershor ne kremtojmë paqen, çlirimin dhe lirin dhe këtë ia përkujtojmë vetës për çdo ditë sepse gjithë gra e burra të cilët u sakrifikuan dhe dhanë jetën ndodhën në themelet e institucioneve tona, të shtetit tonë dhe pavarësisë tonë të cilën duhet ta shpiem më tej me zhvillim drejtësi dhe demokraci”, tha Kurti./Zëri