Sot Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve, shënohet me disa aktivitete edhe në Kosovë
Foto: Laura Hasani

Sot Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve, shënohet me disa aktivitete edhe në Kosovë

Aktuale June 01, 2021 - 08:26

Dita e Fëmijëve shënohet më 1 qershor në mbarë botën, pasi në këtë datë është mbajtur Konferenca Botërore e Mirëqenies së Fëmijëve në Gjenevë, në vitin 1925.

Në të njëjtën ditë rastisi që Konsulli i Përgjithshëm kinez në San Francisko mblodhi së bashku një numër të konsiderueshëm fëmijësh jetimë kinezë të festonin në Festivalin e “Anijes së Dragoit”.

Dy vjet më pas 1 qershori filloi të festohet në të gjithë botën.

Dita e Fëmijëve do të shënohet edhe në Kosovë me disa aktivitete, ndërsa organizata KOMF ka publikuar një raport, në të cilin thuhet se mbi 70% e fëmijëve në Kosovë kanë qenë viktima të dhunës fizike dhe psikologjike, ndërsa gjendjen e fëmijëve e ka rënduar edhe më shumë pandemia, shkruan Zeri.info.

Për nder të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve Kuvendi i Kosovës hap dyert për fëmijët.

Po ashtu KOMF-i ka paralajmëruar një konferencë për media, ku do të prezantojë faktet rreth situatës së fëmijëve në Kosovë dhe do të parashtrojë kërkesat konkrete për përmirësimin e gjendjes së fëmijëve drejt Qeverisë, Kuvendit dhe komunave të Kosovës.

Ndërsa me rastin e kësaj dite ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i shoqëruar nga policët e Kosovës, sot, me fillim në orën 9:30, do të vizitojë Qendrën Klinike Universitare, përkatësisht Repartin e Pediatrisë.

Po ashtu HEDIKOS-i do të lansojë sot kampanjën “Bëhu mburoja ime”, ndërsa vendos dy instilacione, kukulla me thënie të fëmijëve, viktima të dhunës në familje në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, transmeton Zeri.info.

Aktivitete për këtë ditë janë paralajmëruar edhe në komunën e Gjakovës, ku Asambleja Komunale e Fëmijëve në Gjakovë organizon garën me grafite në sheshin e qytetit “Ali Podrimja” me fëmijët e talentuar nga shkollat fillore dhe të mesme të ulëta dhe realizimi i një video ndërgjegjësuese për të drejtat e fëmijëve. /Zëri