Konjufca: Për masakrën e Dubravës duhet një gjyq i veçantë

Konjufca: Për masakrën e Dubravës duhet një gjyq i veçantë

Aktuale May 22, 2021 - 17:30

Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, i shoqëruar nga nënkryetarja Saranda Bogujevci, deputetë të Kuvendit dhe anëtarë të Qeverisë mori pjesë në përvjetorin e masakrës së Dubravës dhe vendosi lule pranë lapidarit të ngritur në kujtim të të rënëve në këtë masakër, të kryer nga forcat serbe 22 vjet më parë, gjatë së cilës u vranë e u plagosën qindra të burgosur shqiptarë.

Konjufca me këtë rast tha se trashëgimia e vetme e Serbisë në Kosovë është gjenocidi mbi popullin shqiptar të Kosovës.

Sipas kryekuvendarit njëra prej këtyre akteve të gjenocidit është edhe masakra e Dubravës.

“Ky është një akt i planifikuar, i përgatitur dhe i ekzekutuar nga shteti serb. Dihet se cilat struktura të ushtrisë dhe policisë serbe, të grupeve paramilitare kanë qenë të angazhuara drejpërdrejt në masakrën e Dubravës. Pra, sa i përket pyetjes dhe çështjes se kush janë përgjegjësit që vranë të burgosurit në burgun e Dubravës prej 19 maj deri më 23 maj 1999, askush në botë nuk ka dyshim. Përgjegjësia i mbetet Serbisë, kriminelët me emër dhe mbiemër dihen, por deri më tani ka munguar vetëm drejtësia”, tha Konjufca.

Kryetari i Kuvendit përsëriti se pa vënien e drejtësisë për të vrarët dhe të masakruarit në Kosovë, familjarët nuk do të mund të ndjehen të qetë.

Më tej Konjufca shtoi se institucionet çdo ditë duhet t’i publikojnë me emra dhe mbiemra të gjithë ata policë, ushtarë dhe paramilitarë që kanë marrë pjesë në masakrën e burgut të Dubravës.

“Kjo është një prej masakrave që kërkon një gjykim të veçantë", tha ai.

Me rastin e 22 vjetorit të maskrës në burgun e Dubravës, Kryekuvendari Konjufca bashkë me nënën e dëshmorit Bajram Kiçina, Mihrije Kiçina, nënkryetaren e Kuvendit Saranda Bogujevci, ministren e Drejtësisë Albulena Haxhiu, të mbijetuarit e kësaj masakre Nait Hasani, Bislim Zogaj, Bajrush Xhemajli, si dhe kryetarin e PDK-së Enver Hoxhaj dhe atë të AAK-së Ramush Haradinaj, zbuluan lapidarin në të cilin janë shkruar emrat e të vrarëve, të plagosurve dhe të mbijetuarve të kësaj masakre të tmerrshme.

Po sot Konjufca bëri homazhe dhe vendosi lule edhe pranë pllakës përkujtimore në Vushtrri, në nderim të 68 të rënëve, të cilët 22 vjet më parë u vranë e u masakruan brenda një dite nga forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe.

Në bashkëbisedim me familjarët e të rënëve, Konjufca u zotua se do të angazhohen në përgatitjen e një padie për gjenocid ndaj Serbisë. /Zëri