Kurti dhe Jashari në Prekaz, zbulojnë bustet e katër luftëtarëve të Drenicës
Kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Komunës së Skenderajt Bekim Jashari, në 40-vjetorin e vrasjes nga forcat serbe të sigurisë, zbuluan sot në Prekaz bustet e katër veprimtarëve dhe luftëtarëve të Drenicës, Tahir e Nebih Meha, Emin Lati dhe Beqir Meha.
Kurti para familjarëve dhe të pranishmëve të tjerë theksoi se 40 vjet më parë, përveçqë ishte koha e demonstratave dhe e grevave, e burgjeve politike dhe e veprimtarëve ilegalë, ishte edhe koha e rezistencës së armatosur, e qëndresës për liri deri në vdekje – ishte koha e Tahir e Nebih Mehës.
"40 vjet më vonë ata na bënë bashkë, përsëri, këtu, në vendin e tyre të dashur, që tash është vendi ynë i lirë", ka thënë Kurti, përcjell Zeri.info.
Duke e rikujtuar heroizmin, sidomos të dy veprimtarëve, Meha e Kurti, tha se lavdia u përket të gjithë luftëtarëve e dëshmorëve, ndërsa obligimi secilit prej nesh.
"Ata janë përplot lavdi. Ne jemi përplot përgjegjësi. Por me ata në kujtesë dhe në zemër, ardhmëria është jona", është shprehur Kurti.
Tahir e Nebih Meha u vranë në Prekaz, më 13 maj 1981, pas një përleshjeje të armatosur me forcat policore jugosllave.
Sipas raportimeve të mediave serbe të kohës, në këtë betejë mbetën të vrarë edhe rreth dhjetë policë jugosllavë. /Zëri