Samiti i Ministrave të BE, Borrell: Çifti Shqipëri-Maqedoni e Veriut nuk ndahet

Samiti i Ministrave të BE, Borrell: Çifti Shqipëri-Maqedoni e Veriut nuk ndahet

Aktuale May 10, 2021 - 21:21

Ballkani Perëndimor ishte në fokus të samitit të ministrave të jashtëm të Bashkimit Europian. Brukseli kërkoi përshpejtimin e reformave integruese në mënyrë që procesi i zgjerimit të ecë përpara, ndërsa u qartësua një çështje që ngjalli shumë debat së fundmi.

“Ne duhet të avancojmë në negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Nuk kemi pasur asnjëherë ndonjë synim për të ndarë këtë çift në procesin integrues.”, u shpreh Joze Borrell.

Kjo do të thotë se Maqedonia e Veriut pa zgjidhur mosmarrëveshjet që ka me Bullgarinë, nuk do të mund të mbajë konferencën e parë ndërqeveritare, po ashtu edhe Shqipëria.

Sofia ka pretendime për kombësinë dhe gjuhën maqedonase, gjë e cila pamundëson caktimin e një date për në qershor. Gjithçka pritet të mbetet për t’u diskutuar në vjeshtë.

“Shpresojmë që konferenca e parë ndërqeveritare të mbahet sa më shpejt, pasi të adoptohet kuadri negociator nga Këshilli.”, shtoi Borrell.

“Nëse nuk ka marrëveshje mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, vendimi do t’i takojë Këshillit. Shqipëria i ka plotësuar kushtet, por i takon këshillit të vendosë për këtë., u shpreh Anna Pisonero, zëdhënëse e KE.

Në dokumentin e punës së ministrave të jashtëm thuhet se procesi i anëtarësimit në BE ka qenë një nxitës i fuqishëm për reformat në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut duke sjellë më shumë demokraci, stabilitet dhe prosperitet për qytetarët.

Pjesë e këtij samiti ishte edhe eurokomisioneri për zgjerimin, Oliver Varhelyi, i cili konfirmoi rekomandimin pozitiv për negociatat me Tiranën dhe Shkupin./a2cnn