Osmani për Luan Haradinajn: Një ndër ikonat e luftës së UÇK-së
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar heroin e kombit Luan Haradinajn në 24-vjetorin e rënies.
Osmani ka thënë se Haradinaj është një ndër ikonat e luftës së UÇK-së.
Sipas saj, qytetarët duhet të ndihen krenarë me veprën e Luanit, pasi familja Haradinaj ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në luftën për çlirim.
“Emri i heroit Luan Haradinaj qëndron në simbiozë perfekte me profilin e luftëtarit, i cili atdhedashurinë e ktheu në art luftarak, duke u shndërruar në njërën ndër ikonat e luftës së UÇK-së. Familja Haradinaj, e cila dha kontribut të jashtëzakonshëm në luftën tonë për çlirim, sikurse edhe të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të ndihen krenarë me veprën e Luanit. Ai ra në kufirin ndërmjet Kosovës - shtetit për të cilin kapi pushkën dhe shtetit të Shqipërisë nga u frymëzua në luftën për çlirim. 24 vjet më parë në vendin e quajtur ‘Qafa e Mullarit’, në Kushnin të Hasit, bashkë me 178 bashkëluftëtarë ranë në pritën e ushtrisë jugosllave. Luani ra heroikisht për t`u shndërruar në kambanë lirie! Sot përkulemi me respekt para tij dhe heronjve të tjerë, të cilët bënë të mundshme lirinë tonë, sikurse edhe ndërtimin e shtetit! Qoftë i përhershëm kujtimi për Luanin dhe të gjithë ata që ranë në altarin e lirisë!”, ka shkruar Osmani në Facebook. /Zëri