Sot nis procesi i vettingut

Sot nis procesi i vettingut

Aktuale May 06, 2021 - 13:50

Sot, nën organizimin e Ministrisë së Drejtësisë, është mbajtur takimi i parë i grupit punues për hartimin e koncept-dokumentit për procesin e vettingut.

Gjatë këtij takimi ministrja e MD-së, Albulena Haxhiu, ka thënë se gjyqësori është komponent i rëndësishëm e sundimit të ligjit të çdo shteti dhe se pamundësia e sistemit gjyqësor dhe prokurorial të veprojë në mënyrë të drejtë dhe të barabartë ndaj të gjithë qytetarëve, shpie tek etablimi i kulturës së mosndëshkimit, që shtyp zërin e qytetarëve.

“Fatkeqësisht, besimi i publikut në sistemin gjyqësor dhe prokurorial nuk është dëshmuar të jetë në nivelin e pritshmërive. Kjo nuk rëndon vetëm sistemin gjyqësor e prokurorial, por edhe vetë Qeverinë e Republikës së Kosovës, e cila është e përkushtuar, me tërë fuqinë e saj, ndaj realizimit të plotë të të drejtave të qytetarëve, ashtu si u janë garantuar me Kushtetutë dhe me ligjet e Republikës së Kosovës”, ka thënë Haxhiu.

Këtë takim ministrja e cilësoi si simbol të nisjes së ndryshimeve pozitive brenda sistemit të drejtësisë dhe inkurajoi të gjithë që të përkushtohen me tërë kapacitetet.

Tutje, në takim është bërë prezantimi i strukturës përmbajtjesore të koncept-dokumentit dhe gjithashtu planit fillestar të punës nga Lulzim Beqiri - kryesues i grupit punues, që pritët të përfundojë brenda 4 muajve.

“Në anën tjetër, të pranishmit në takim, përfaqësues nga institucionet dhe shoqëria civile, shprehën vullnetin dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar dhe kontribuuar në këtë proces të rëndësishëm reformues në sistemin e drejtësisë.

Në fund të takimit, anëtarët e grupit punues u dakorduan rreth planit të punës dhe formatin mbi bazën e të cilit do të përgatitet ky koncept-dokument, si dhe fazat nëpër të cilat do të kalojë deri në miratimin e tij në Qeveri”, thuhet në njoftimin për media. /Zëri