PDK-ja kërkon shkarkimin e ministres Gërvalla, deputeti Tahiri e krahason Gërvallën me Daçiqin
Foto: Laura Hasani

PDK-ja kërkon shkarkimin e ministres Gërvalla, deputeti Tahiri e krahason Gërvallën me Daçiqin

Aktuale May 06, 2021 - 12:54

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që ta shkarkojë ministren e Jashtme Donika Gërvallën.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, në një konferencë për media ka thënë se deklaratat e Gërvallës janë në linjë me ish-ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, raporton Zeri.info.

“Edhe sot e patë që narracioni i ministres së Jashtme ishte i njëjti me narraciononin e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq, në këtë rast me Ivica Daçiqin. Kërkojmë nga Kurti që ta shkarkojë këtë ministre, e cila në mënyrë të vazhdueshme denigron pjesë e historisë kombëtare. PDK-ja e merr me shqetësim qëndrimin e ministres së Jashtme, se ajo përfaqëson Kosovën”, ka deklaruar Tahiri në konferencën për media.

Ai ka thënë se PDK-ja nuk do të kthehet në sallë derisa të mblidhet Kryesia e Kuvendit, ndërsa është ankuar se deputetët e pozitës po i fyejnë dhe ofendojnë ata të opozitës.

“Ne e kemi në vazhdimësi një sjellje të pahijshme të udhëheqësve të seancave që vijnë nga pozita, prandaj edhe një mënyrë e tillë e sjelljes nga nënkryetarja e Kuvendit është e papranueshme i bëjmë thirrje mazhorancës që të tërhiqet nga ku pozicion dhe të sillet konform rregullave që e përcaktojnë. Sot u pamundësua vazhdimi i seancës, sepse kishin sulme e fyerje nga deputetët e mazhorancës në mungesë të fakteve për të debatuar për arsimin dhe çështjet e tjera”, shtoi Tahiri.

Tahiri në fund ritheksoi se PDK-ja do të përdorë të gjitha mjetet demokratike që çojnë në shkarkimin e ministres Gërvalla. /Zëri