Abdixhiku për Aganin: Jo rastësisht e quanin “truri i lëvizjes paqësore”

Abdixhiku për Aganin: Jo rastësisht e quanin “truri i lëvizjes paqësore”

Aktuale May 06, 2021 - 12:46

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka bërë homazhe te varri i profesorit Fehmi Agani, në 22-vjetorin e vrasjes së tij.

Abdixhiku ka thënë për Aganin se ishte intelektual i rrallë.

“Veprimtaria e profesor Aganit për kombin ka spikatur si në fushën e shkencës, edukimit, si dhe në jetën atdhetare e politike. Prof. Fehmi Agani ishte intelektual i rrallë, politolog dhe sociolog, profesor në Universitetin e Prishtinës, si dhe nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Jo rastësisht e quanin ‘truri i lëvizjes paqësore’”, ka thënë ai.

Ai tha se vepra e Aganit është testament për kohën dhe shumë breza që vijnë.

“Puna dhe kontributi i jashtëzakonshëm i prof. Aganit për lirinë dhe pavarësinë e vendit nuk mund të ndalej nga armiku serb, pos me eliminimin e tij fizik, ashtu edhe siç ndodhi fatkeqësisht, kur u vra më 6 maj 1999 afër Lipjanit. Jeta dhe vepra e tij janë testament për kohën dhe shumë breza që vijnë, ndërsa emri i tij është skalitur në gurthemelin e shtetit të Kosovës”, tha Abdixhiku. /Zëri