Kryediplomati kroat ia konfirmon Konjufcës mbështetjen për liberalizimin e vizave

Kryediplomati kroat ia konfirmon Konjufcës mbështetjen për liberalizimin e vizave

Aktuale May 06, 2021 - 12:29

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë, Gordan Gërliq Radman, me të cilin bisedoi për marrëdhëniet dypalëshe, zhvillimet politike, liberalizimin e vizave dhe stabilitetin rajonal.

Radman, pasi e uroi Konjufcën për detyrën dhe konstituimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e 14 shkurtit, nënvizoi se Kroacia dhe Kosova janë dy vende miqësore dhe shprehu qëndrimin e shtetit kroat për vazhdimin e mbështetjes së Kosovës, me theks të veçantë në procesin e liberalizimit të vizave dhe rrugën e saj euroatlantike.

Nga ana e tij, Konjufca e ka falënderuar kryediplomatin Radman për përkrahjen që shteti kroat ia ka dhënë ndër vite Kosovës në të gjitha proceset shtetndërtuese, duke vënë pah se Kroacia fqinje është një shtet mik dhe se vendi ynë është i përkushtuar të avancojë marrëdhëniet dypalëshe.

I pari i Kuvendit, duke vlerësuar lart kontributin e Kroacisë, u shpreh se orientim afatgjatë strategjik i Kosovës mbetet perspektiva evropiane dhe anëtarësimi në NATO e në organizata të tjera ndërkombëtare.

Në takim, veç të tjerash, u bisedua edhe për pandeminë, hapat për sigurimin e vaksinave dhe domosdoshmërinë e imunizimit të qytetarëve tanë, me ç’rast kryediplomati kroat bëri të ditur se Kroacia ka siguruar 10 mijë vaksina anti-COVID për Kosovën. /Zëri