Tahiri shpërthen me gjuhë fyese ndaj Gërvallës: Duhet të shkarkohesh, ti je turpi i Kosovës

Tahiri shpërthen me gjuhë fyese ndaj Gërvallës: Duhet të shkarkohesh, ti je turpi i Kosovës

Aktuale May 06, 2021 - 11:34

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, ka hedhur akuza në drejtim të ministres së Jashtme, Donika Gërvalla.

Tahiri ka reaguar pasi Gërvalla gjatë fjalimit në Kuvend ka thënë se Gjykata Speciale është krijuar nga Kuvendi i Kosovës dhe jo nga Serbia.

Pas kësaj, Tahiri e ka thënë se është turp për Kosovën të përfaqësohet nga një ministre si Gërvalla, të cilën e ka quajtur si përfaqësuese të Serbisë.

“Sot na dëshmove se Republika e Serbisë nuk ka nevojë me u marrë me Republikën e Kosovës, sepse të ka ty përfaqësuese në Kosovë, ti je turpi i diplomacisë së Kosovës, me dal me thënë që Gjykata Speciale nuk është bërë nga Serbia është turpi më i madh për qytetarët e Kosovës. Dil kërko falje, sepse ajo gjykatë është bërë me fakte të rrejshme nga Serbia, dil kërkoju falje qytetarëve dhe atyre që janë atje të akuzuar, sepse kjo gjykatë është bërë prej njerëzve sikur ju”, tha Tahiri.

Tahiri ka vazhduar me gjuhën fyese ndaj Gërvallës, duke e akuzuar madje dhe si “përfaqësuese të Serbisë”.

“Sot nuk ka nevojë Daçiqi me dal me fol, sepse është Donika Shwartz, sepse atë mbiemrin tjetër po më vjen marre me ta përmend. Ti më shumë sot ngjason me përfaqësues të Serbisë në Kosovë, sesa me ministrin e Punëve të Jashtme. Është turp i madh për këtë vend, dil kërkoju falje viktimave, grave të dhunuara, kërko që gjenocidi serb duhet mu dënu. Ti je përfaqësuese e Serbisë në Kosovë”.

Tahiri ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti ta shkarkojë Gërvallën, për të cilën ka thënë se nuk duhet të ulet në Kuvend.

“Sot do të duhej me të shkarku nëse do të kishim një kryeministër të përgjegjshëm. I bëjmë thirrje kryeministrit që ti nuk duhet me qëndru në këtë sallë, ti nuk e përfaqëson qytetarin e Kosovës, ti je turpi i kësaj diplomacie”, ka deklaruar Tahiri. /Zëri