Ministrja Gërvalla: PDK-ja, përgjegjëse që krerët e UÇK-së janë sot në Hagë dhe për korrupsionin në Kosovë
Foto: Laura Hasani

Ministrja Gërvalla: PDK-ja, përgjegjëse që krerët e UÇK-së janë sot në Hagë dhe për korrupsionin në Kosovë

Aktuale May 06, 2021 - 11:29

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, në seancën e Kuvendit të Kosovës u është drejtuar deputetëve të PDK-së, duke u thënë atyre se korrupsioni nuk është shpikje e qeverisë “Kurti”, por ishte e tyre (PDK-së), raporton Zeri.info.

Ajo para deputetëve tha se Qeveria është zgjedhur me mandatin për të luftuar krimin dhe korrupsionin.

“Po ju drejtohem juve deputetëve të PDK-së, korrupsioni nuk është shpikje jona dhe nuk është narrativë e Serbisë, por është realitet i hidhur i qytetarëve të Kosovës. Qeveria është zgjedhur me mandatin për të luftuar krimin dhe korrupsionin më së shumti nga ju, Partia Demokratike e Kosovës. Kjo është narrativa juaj, ju jeni përgjegjës për instalimin e korrupsionit dhe është narrativa jonë luftimi i korrupsionit. E vërteta i bën mirë gjithkujt, e vërteta është e domosdoshme për të dalë nga gropa në të cilën keni hyrë”, tha ajo.

Po ashtu Gërvalla tha se Gjykatën Speciale në Hagë e ka instaluar PDK-ja dhe jo Serbia.

“E dyta, kjo Gjykatë Speciale në Hagë nuk është e instaluar nga Serbia, është e instaluar nga ju, sepse ju jo vetëm që nuk keni ndërmarrë asgjë për dënimin dhe gjykimin e krimeve pas luftës, ju jo vetëm që asgjë nuk keni marrë, por ju jeni munduar ta evitoni gjykimin e krimeve në Kosovë dhe ju jeni ata që në këtë formë e keni bërë të mundur Gjykatën Speciale. Dhe ju e keni votuar këtë gjykatë, ajo nuk ka pikuar nga qielli, të mos bëhemi qesharakë”, ka thënë Gërvalla.

Ajo tha se PDK-ja është përgjegjëse që krerët e UÇK-së janë sot në Hagë.

“Ju jeni përgjegjës që prijësit tuaj janë sot në Hagë. Bëhuni opozitë serioze dhe mos mashtroni përkrahësit e tuaj”, tha ajo.

Gërvalla tha se është zotuar që interesat e Kosovës t’i përfaqësojnë në mënyrë më të denjë të mundshme në arenën ndërkombëtare dhe përpara qytetarëve të Kosovës. /Zëri