Osmani thotë se në prill kishte kërkuar nga Kroacia vaksina

Osmani thotë se në prill kishte kërkuar nga Kroacia vaksina

Aktuale May 06, 2021 - 11:19

Shteti kroat ka bërë të ditur se do ta dhurojë një donacion prej 10 mijë vaksinave anti-COVID për Kosovën.

Këtë e ka bërë të ditur sot kryediplomati kroat, Gordan Grliq Radman, gjatë një vizite në Kosovë, ku është takuar edhe me presidenten Vjosa Osmani.

Osmani pas takimit me Radmanin ka thënë se më 15 prill të këtij viti kishte kërkuar nga Kroacia ndihmë për të ndihmuar Kosovën me vaksina, për çka sot ka marrë përgjigje pozitive për kërkesën e saj, transmeton Zeri.info.

“Pas kërkesës që ia kam bërë shtetit kroat më 15 prill 2021 për një donacion simbolik të vaksinave, kam marrë përgjigje pozitive menjëherë të nesërmen dhe sot ministri i Jashtëm na solli lajmin e mirë për donacion prej 10 mijë vaksinash për qytetarët tanë. Ky veprim rikonfirmon partneritetin e shkëlqyeshëm mes dy popujve tanë dhe faktin se Kroacia na ka qëndruar pranë gjithnjë e në çdo sfidë”, ka thënë Osmani.

Osmani po ashtu tha se me kryediplomatin kroat ka diskutuar për nevojën që partneriteti ynë të kalojë në nivel strategjik, ndërsa ka potencuar se Kosova meriton liberalizimin e vizave pasi ka plotësuar kushtet.

“E potencova që Kosovës duhet t’i jepet liberalizimi i vizave menjëherë, sepse Kosova i ka plotësuar kriteret, ndërkaq BE-ja duhet ta mbajë premtimin e jo ta konsiderojë liberalizim si peng të proceseve të tjera. Diskutuam po ashtu për avancimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, tregtisë, kulturës dhe shumë fusha të tjera. E më e rëndësishmja, diskutuam se si Kosova e Kroacia duhet t’i bashkojnë forcat për të kërkuar përgjegjësi të qartë dhe çdo informatë nga Serbia lidhur me personat e pagjetur e të zhdukur dhunshëm nga regjimi serb gjatë luftërave të fundit të viteve ’90”, ka shkruar Osmani.

Ajo shtoi se rajoni ynë do të jetë më i sigurt, ndërkaq e ardhmja jonë më prosperuese nga bashkëpunimi mes Kosovës e Kroacisë, për çka e falënderoi shtetin kroat për mbështetjen e pakursyer në çdo drejtim. /Zëri