Infektuar: 107497
Shëruar: 104054
Vdekur: 2245
Agron Dida i nënshtrohet operacionit prej 50 minutash në QKUK pas sulmit nga qentë endacakë

Agron Dida i nënshtrohet operacionit prej 50 minutash në QKUK pas sulmit nga qentë endacakë

Aktuale May 05, 2021 - 12:42

Eksperti i telekomunikacionit Agron Dida ka bërë të ditur se para disa ditësh së bashku me gruan e tij është sulmuar nga qentë endacakë 200 metra nga shtëpia e tyre në Bërnicë të Epërme.

E nga sulmi i qenve Dida ka pësuar lëndime të rënda, ku edhe i është dashur të ketë ndërhyrje kirurgjike për rreth 50 minuta në QKUK.

“Para ca ditësh 200 m nga shtëpia jonë në Bërnicë të Epërme, në rrugën që çon në Siqevë, Kimeten dhe mua na sulmuan dy qenë endacakë, befasisht, pa asnjë ngacmim nga ana jonë. Kur më rrëzuan për toke për herë të parë u ngrita dhe vazhdova të sillja me këmbë për t’u mbrojtur, por pastaj më rrëzuan edhe një herë, me që rast lëndova rëndë gishtin e madh të dorës së majtë, gjurin e këmbës së djathtë, bishtin e kurrizit, nyjet e të dy duarve. Në ndërkohë, Kimetja kërkoi ndihmë prej fqinjëve tanë që menjëherë dolën dhe më shpëtuan. Operacioni i gishtit zgjati rreth 50 minuta dhe dua ta falënderoj përzemërsisht dr. Arban Demin me koleget e kolegët e tij për operacionin e suksesshëm që e bënë në Emergjencën e QKUK”, ka shkruar Dida në Facebook.

Dida thotë se për të qentë janë miqtë më të vjetër e më të respektuar të njeriut, por që në komunën e Prishtinës e edhe në shumë komuna të tjera, sipas tij, problemi i qenve endacakë mbetet vetëm një ëndërr për t’u dëshiruar.

Ai po ashtu ka këshilluar zyrtarët përgjegjës të Komunës së Prishtinës që të angazhojnë konsulentë profesionalë, pasi siç thotë ai është e qatë se ata nuk janë në gjendje të përballen me këtë problem.

“Unë jam një adhurues i natyrës dhe qentë për mua janë miqtë më të vjetër e më të respektuar të njeriut, mirëpo menaxhimi i planifikuar mirë dhe i zbatuar me kujdes të duhur, i problemit të habitatit të qenve endacakë jo vetëm në komunën e Prishtinës, por edhe në shumë komuna tjera të Kosovës, mbetet vetëm një ëndërr për t’u dëshiruar. Andaj, u këshilloj zyrtarëve përgjegjës të Komunës që të angazhojnë konsulentë profesionalë, qoftë edhe nga jashtë Kosovës, sepse po shihet qartë se ata nuk janë në gjendje të përballohen me këtë problem. dhe Kimetja ka pasur një aksident edhe më të rëndë para ca kohësh dhe shërimi i saj pas operacionit ka zgjatur gati një vit. Shpresojmë se është aksident i fundit!”, ka shkruar Dida. /Zëri