
Osmani: Maqedonia e mbështet dialogun e Kosovës me Serbinë, qëllimi final të jetë njohja e ndërsjellë
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Donika Gërvalla-Schwarz ka mbajtur një konferencë të përbashkët me homologun e saj nga Maqedonia e Veriut, Bujar Osmani.
Gjatë kësaj konference, Osmani tha se Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë bashkëpunim të jashtëzakonshëm. Ai po ashtu theksoi se ka shprehur kënaqësinë që gjatë këtij viti pjesëtar të armatës së Maqedonisë të jenë pjesë e KFOR-it në Kosovë.
“Sot biseduam për shumë çështje konkrete, në kuadër të bashkëpunimit bilateral, ishte fokusi edhe në temat ekonomike, mundësitë edhe për lidhje infrastrukutore, jo vetëm në atë rrugore por edhe në atë energjetike e kështu me radhë. Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë bashkëpunim, këmbim të jashtëzakonshëm tregtar dhe dinamik dhe kjo natyrisht se duhet të mbështet me infrastrukturë të përshtatshme. Shpreha kënaqësinë time që nga ky vit edhe pjesëtar të armatës së Republikës së Maqedonisë të Veriut të jenë pjesë KFOR-it këtu, që është një kontribut i drejtpërdrejt në stabilitetin por edhe në perspektivën euroatlantike të vendit”, tha Osmani.
Osmani tha se Maqedonia është e gatshme që të vendos në dispozivcion të Kosovës të gjitha njohur në integrimin e saj në BE.
“Ambicja e jonë është që integrimi i plotë i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe në këtë drejtim si vend negociues me BE-në, por me një eksperiencë të gjatë në këtë drejtim, jemi të gatshëm t’i vendosim në dispozcion të Republikës së Kosovës të gjitha njohuritë dhe përvojat tona të deritanishme”, u shpreh Osmani gjatë konferencës për media.
Ai po ashtu bëri të ditur se mbështesin dialogun e Kosovës me Serbinë dhe vlerëson se qëllimi i final i këtij dialogu të jetë njohja e ndërsjellë.
“Republika e Maqedonisë së Veriut mvbështet përpjekjet për të mbyllur çështjet e hapura në rajon, mbështet dialogun e Republikës së Kosovës dhe Serbisë dhe vlerëson se qëllimi final i këtij dialogu duhet të jetë njohja e ndërsjellë ndërmjet të dyja shteteve dhe rrugëtimi më tutje evropian i të gjithë rajonit”, deklaroi ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Bujar Osmani. /Zëri