Ankesa për zgjedhjen e zëvendësve të Avokatit të Popullit, palët raportojnë në Komisionin për të Drejtat e Njeriut

Ankesa për zgjedhjen e zëvendësve të Avokatit të Popullit, palët raportojnë në Komisionin për të Drejtat e Njeriut

Aktuale April 20, 2021 - 11:09

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione ka vendosur që gjatë kësaj jave të ftojë në raportim përfaqësues nga Institucioni i Avokatit të Popullit dhe palët ankuese lidhur me zgjedhjen e pesë zëvendësve të Avokatit të Popullit.

Propozimi për thirrje në raportim u dha nga kryesuesja e Komisionit, Duda Balje, i cili u miratua nga anëtarët e tjerë.

Në këtë mbledhje u tha se ka pasur një numër të madh të ankesave sa i përket zgjedhjes së zëvendësit të Avokatit të Popullit.

Komisioni nisi me kërkesën e Duda Bajles mbi shqyrtimin e ankesave, të cilat kanë të bëjnë me procedurën e zgjedhjes së Avokatit të popullit.

Saranda Bogujevci, anëtare e Komisionit, tha se janë një numër i madh i ankesave dhe se duhet kërkuar nga Avokati i Popullit që të informojë se cilat nene janë shkelur në këtë proces, raporton Ekonomia Online.

“Mendoj që mundemi me shkrim me kërkuar nga Institucioni i Avokatit të Popullit se prej cilave nene u është mohu e drejta, ose me thirr vetë avokatin e Popullit”, tha Bogujevci.

Në anën tjetër, Eliza Hoxha tha se duhet parë se nga kush janë këto ankesa dhe se e quajti absurde që ndaj një institucioni siç është Avokati i Popullit me pas aq shumë ankesa.

“Nëse ka ankesa do të ishte mirë të dihet nga kush janë që ne si komision t’i shqyrtojmë. Është absurde që me pas kaq shumë ankesa ndaj një institucioni të tillë”, tha Hoxha.