Bardhi: 2600 të moshuar në Kosovë, të vaksinuar

Bardhi: 2600 të moshuar në Kosovë, të vaksinuar

Aktuale April 19, 2021 - 15:16

Në qendrën e vaksinimit “1 Tetori” po vijon vaksinimi i personave 75 deri në 79 vjeç të shoqëruar me sëmundje kronike, nga këta vetëm sot janë vaksinuar 85 persona, ndërsa në total janë vaksinuar 1026 persona nga kjo grup-moshë, që kanë edhe sëmundje kronike.

Ndërsa shifrat totale të të vaksinuarave deri më sot janë: 1202 persona të vaksinuar nga grup-moshat 80-85 vjeç, 53 persona në dializë dhe nga Shtëpia e Pleqve të vaksinuar janë 111 persona.

Koordinatori i Qendrës së Vaksinimit, Niman Bardhi, tha se edhe ditën e sotme po vazhdon vaksinimi i personave në moshën 75 deri në moshën 79 vjeç. Ai tha se nga 8 prilli deri sot janë vaksinuar 2600 të moshuar nga grup-moshat e ndryshme.

“Edhe në ditën e sotme kemi vazhduar me vaksinimin e personave në moshë mbi 75-vjeçare të shoqëruara me sëmundje kronike, ku aktualisht deri në këto çaste që ne po flasim kemi gjithsej të vaksinuar 85, ndërsa nëse flasim me shifër nga data 8 deri më sot kemi 2600 të vaksinuar, duke përfshirë moshën mbi 85, 80 dhe tani 75 e tutje”, tha ai.

Bardhi njoftoi se edhe në ditët e ardhshme do të vijohet me vaksinimin e personave 75 deri në 79 vjeç, që shoqërohen me sëmundje kronike.

Bardhi: Komiteti vendos të vazhdohet me grup-moshën 75 deri 79 vjeç për vaksinim

"Nga sot edhe ditët në vazhdim prapë do të jetë grup-mosha e të vaksinuarve 75 e sipër e jo nën moshën 75-vjeçare, ndaj kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve dhe gjithë atyre që tentojnë dhe që kanë dëshirë të marrin vaksinën, por për momentin vaksinimi do të shkojë mbi moshën 75-vjeçare që janë të shoqëruara edhe nga sëmundje kronike", tha Bardhi.

Më 28 mars Kosova i ka pranuar 24 mijë dozat e para të vaksinës kundër COVID-19. Këto doza të vaksinës “AstraZenenca”-s u dhuruan si donacion për qytetarët e Kosovës nga COVAX-i. E ata që kishin prioritet për t’u vaksinuar ishin profesionistët shëndetësorë, më pas qytetarët mbi moshën 80 vjeç dhe ata me sëmundje kronike.