Votohen ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, që lehtësojnë gjykimin në mungesë për krime lufte

Votohen ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, që lehtësojnë gjykimin në mungesë për krime lufte

Aktuale April 19, 2021 - 11:40

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit ka votuar pro kërkesës së Ministrisë së Drejtësisë (MD) për plotësim-ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, për gjykimin në mungesë për krimet e luftës. Përderisa deputeti i Listës Serbe Ljubinko Kradziq nuk ka qenë i pranishëm në votim.

Anëtarët e Komisionit nga radhët e opozitës kërkuan që të mos nxitohet, pavarësisht që e mbështetën në parim iniciativën e MD-së.

Adnan Rrustemi, nga Lëvizja Vetëvendosje, ka deklaruar që është me rëndësi që procesi i gjykimit në fillojë sa më parë dhe të vendoset drejtësi.

“Unë insistoj që Komisioni me përfshijë veten në punë përmbajtjesore të monitorimit dhe të mbikëqyrjes për të përmirësuar ligjet e caktuara aty ku kanë mbetur në zbatim. Formimi i një grupi punues që do të sjellë Rregulloren e Kuvendit që ta hartojë draftin e parë.

Përgjegjësia e krimeve të luftës në Kosovë nuk është adresuar asnjëherë në mënyrë adekuate dhe për mua është me rëndësi që procesi i gjykimit në mungesë të fillojë sa më parë dhe secili prej nesh e kupton ndryshimin e këtij ligji sado teknik që duket”.

Ndërkohë, deputetja Blerta Deliu-Kodra e ka cilësuar si qasje ad-hoc inicimin e kësaj çështjeje, duke thënë se qasja e përshpejtuar nuk është e duhura. Deliu ka kërkuar që në këtë proces të përfshihet shoqëria civile.

“Sa i përket Demokracisë Plus, është ide e mirë, sepse e kemi parë me tentimin që e keni bërë për Ligjin për Zgjedhje pa shoqëri civile nuk bën dhe jo vetëm Demokracia +, por të gjitha shoqëritë civile.

Kjo qasje e ndryshimit ad-hoc është qasje jo rofesioniste dhe jo e bukur aq më pak kur flasim për çështje serioze. Koha po dëshmon që keni qenë të gabuar dhe me urgjencë e kemi në trajtim ndryshimin jashtë procedurave të rregullta.

Kur PDK-ja ka udhëhequr me MD-në ka qenë edhe Projektkodi i Procedurës Penale, prandaj ky ndryshim do të duhej bëhej përmes projekt Kodit të Procedurës Penale dhe kjo qasje nuk i shkon këtij Komisioni dhe nuk duhet të kemi nguti. Ne kërkojmë një konsultim më të gjerë me prokurorë e gjyqtarë”.

Ndërsa Driton Selmanaj, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tha se urgjenca të tilla nuk po arrihet që të hartohen ligje të duhura, raporton EO-ja.

Deputeti nga AAK-ja Besnik Tahiri tha se trajtimi i ligjeve kërkon angazhim të plotë, derisa ka shtuar se nuk duhet të ketë situata befasuese si për Ligjin për Zgjedhje.