Më shumë viktima gjatë 12 ditëve me masa sesa 12 ditë para masave

Më shumë viktima gjatë 12 ditëve me masa sesa 12 ditë para masave

Aktuale April 18, 2021 - 17:44

Masat e fundit të Qeverisë duket se nuk kanë dhënë edhe aq efekt sa i përket numrit të të infektuarve, të shëruarve dhe rasteve të vdekjeve si pasojë e COVID-19.

Në një krahasim me 12 ditët para se qeveria të merrte masat e reja, numri i të vdekurve nga COVID-19 ka qenë më i lartë pas 7 prillit, raporton Zeri.info.

Nga 26 marsi deri më 6 prill, kur Kosova kishte masa relativisht lehtësuese, janë regjistruar 8115 të shëruar, 9322 raste të reja dhe 121 të vdekur nga COVID-19.

Ndërsa numri i të infektuarve gjatë periudhës sa ishin në fuqi masat e reja, nga 7 deri më 18 prill, ka qenë 2461 më pak se në 12 ditët para vendimit për masa.

Në këto 12 ditë me masa shtrënguese nga Qeveria, sipas IKSHPK-së, janë regjistruar 8310 të shëruar, 6861 të infektuar dhe 138 të vdekur, apo 17 të vdekur më shumë se sa para masave të 7 prillit, shkruan Zeri.info.

Masat e fundit të Qeverisë janë kritikuar ashpër nga ekonomistët, pasi që nga 7 prilli gastronomia ka qenë e mbyllur, duke ofruar shërbime vetëm me porosi dhe “merre me vete”, ndërsa lëvizja e qytetarëve ka qenë e kufizuar nga ora 22:00 deri në orën 05:00.

Po ashtu të mbyllura kanë qenë edhe qendrat tregtare dhe palestrat sportive.

Këto masa pritet të përfundojnë nesër, siç ishte paralajmëruar, ndërsa një vendim për masa të reja pritet të merret sot në orën 19:00 kur edhe do të mblidhet Qeveria. / Zëri