Vitia: Lajmi për mosnënshkrimin e kontratës me “Pfizer”, tërësisht i pavërtetë
Foto: Laura Hasani

Vitia: Lajmi për mosnënshkrimin e kontratës me “Pfizer”, tërësisht i pavërtetë

Aktuale April 16, 2021 - 20:56

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një konferencë të jashtëzakonshme për media, foli për lajmin e publikuar nga “Insajderi” për mosnëshkrimin e kontratës për sigurimin e vaksinave me Pfizer dhe BionTech.

Këtë lajm, Vitia e quajti krejtësisht të pavërtetë dhe dashakeq. Megjithatë, ai tha se dikush ka rrjedhur të dhëna konfidenciale në këtë rast dhe se kështu e kanë dëmtuar një proces të ndjeshëm dhe kanë dëmtuar shëndetin e qytetarëve, raporton Zeri.info.

“Lajmi i publikuar në ‘Insajderi’ është i pavërtetë dhe dashakeq. Informacionet kinse zyrtare janë krejtësisht të pasakta. Çështja e negocimit është konfidenciale. Ata që rrjedhin të dhëna konfidenciale duhet ta kuptojnë se dëmtojnë procese të ndjeshme dhe kanë dëmtuar shëndetin e qytetarëve. Procesi i sigurimit të vaksinave nuk është lojë. Është çështje e sigurisë kombëtare. Shteti do të kërkojë llogari. Ftojmë prokurorin e shtetit që të mbrojë shëndetin publik de të mbrojë interesin e qytetarëve”, tha Vitia në këtë konferencë të jashtëzakonshme për media.

“MSH-ja ka themeluar një komision për sigurimin e vaksinave i cili është profesional, dhe është në komunikim të vazhdueshëm me prodhuesit e vaksinave të aprovuara. Kjo trupë profesionale është nën betim të konfidencialitetit që do të thotë se nuk mund të japë asnjë detaj. Unë ju siguroj se jam i kënaqur me komisionin për progresin e arritur deri më tani”, tha Vitia. /Zëri