Nënshkruhet memorandumi i bashkëpunimit në mes të MD-së dhe GLPS-së
Sot është nënshkruar memorandumi i bashkëpunimit në mes të Ministrisë së Drejtësisë dhe Grupit për Studime Juridike dhe Politike - GLPS, gjegjësisht nga ministrja Albulena Haxhiu dhe menaxherja e Programeve GLPS, Njomza Arifi.
Në një njoftim për media nga MD-ja, thuhet se qëllimi i këtij memorandumi lidhet me mundësinë e zbatimit të projektit të titulluar “Rritja e efikasitetit: Monitorimi dhe vlerësimi i zbatimit të parimeve të sundimit të ligjit në Kosovë në bazë të Listës së Kontrollit të Sundimit të Ligjit të Këshillit të Evropës”, i financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë - programi MATRA dhe i zbatuar nga GLPS-ja.
“Rëndësia e këtij memorandumi është që të përcaktojë veprimet e përbashkëta ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe GLPS-së sa i përket implementimit të këtij projekti, si dhe përgjegjësitë e secilës palë, me synim final të dhënies së qasjes së plotë në të dhëna publike, të nevojshme për zbatimin e projektit, në përputhje me ligjet për qasje në dokumentet publike”, thuhet në njoftim.
Lidhur me zbatimin e këtij memorandumi Ministria, sikurse edhe GLPS-ja do të marrin përsipër obligimet, të cilat i takojnë sipas kësaj marrëveshjeje, duke u pajtuar po ashtu që të gjitha çështjet e tjera kontestuese, të cilat lindin gjatë zbatimit të tij, t’i zgjidhin përmes konsultimeve dhe negociatave në mes të dy palëve.
Ky memorandum bashkëpunimi do të zgjasë dy vjet nga dita e nënshkrimit nga palët deri në përfundim të projektit. /Zëri