Besnik Berisha akuza të rënda Gjykatës: U shkel ligji me të dyja këmbët

Besnik Berisha akuza të rënda Gjykatës: U shkel ligji me të dyja këmbët

Aktuale March 19, 2021 - 15:23

Avokati i Shaban Gogajt, i cili po akuzohet për vrasjen e Adonis Tetajt në shtator të vitit 2018, ka thënë se vendimi i Gjykatës Themelore në Pejë, e cila ka vendosur ta rihapë seancën e shqyrtimit gjyqësor për rastin në fjalë, është shkelje e ligjit.

Besnik Berisha ka thënë se do të ndërmarrin veprime të mëtutjeshme ligjore për të luftuar, siç e ka quajtur ai, këtë padrejtësi.

“Është absolutisht, gjykata pranoi se ose ka dështuar krejt, ose dështoi sot. Gjykata ka shkelë ligjin, por unë besoj në drejtësi dhe me mjete të ligjshme do ta luftoj këtë padrejtësi. Nuk e kemi ndërmend me u dorëzu para asnjë personi. Shaban Gogaj nuk e ka vra Agonis Tetajn dhe ajo çka ka ndodhë nuk lidhet në asnjë sekondë me rastin tragjik. Në qoftë se Gjykata sot e shkeli ligjin me dy këmbët, unë nuk i besoj kësaj gjykate. Kjo gjykatë çfarëdo që do të sjellë nesër do të jetë i ndikuar, njëra palë prapë do të protestojë. I bie që kush ka ndikim më shumë të dalë në publik dhe të nxitë njerëz se kë e quaj drejtësi dhe kë padrejtësi. Veprimi i ardhshëm është në përputhje me ligjin”, u shpreh ai.

Gjykata Themelore në Pejë ka vendosur ta rihapë seancën e shqyrtimit gjyqësor për rastin ku Shaban Gogaj po akuzohet nga Prokuroria e Pejës për vrasjen e tani të ndjerit Agonis Tetajt, në shtatorin e vitit 2018, në kompaninë “Gogaj Ag”. /EO