Nëntë shtete anëtare të BE-së i dërgojë letër Borrellit për ta kthyer Ballkanin Perëndimor në agjendë

Nëntë shtete anëtare të BE-së i dërgojë letër Borrellit për ta kthyer Ballkanin Perëndimor në agjendë

Aktuale March 11, 2021 - 17:49

Nëntë shtete anëtare të BE-së i kanë bërë thirrje kryediplomatit të BE-së, Josep Borrell, që të zhvillojë diskutime strategjike me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe për perspektivën e tyre kur ministrat e jashtëm të BE-së të takohen në prill, sipas një letre të siguruar nga “EURACTIV”, transmeton Zeri.info.

“Besojmë se është koha e duhur t’i hidhet një vështrim strategjik Ballkanit Perëndimor”, thuhet në letrën e ministrave të jashtëm të Austrisë, Kroacisë, Çekisë, Gjermanisë, Greqisë, Irlandës, Rumanisë, Sllovakisë dhe Sllovenisë.

Në letër, që mban datën 5 mars, ata thonë se “shumëçka ka ndryshuar” që nga diskutimi i fundit për zgjerim i gushtit të vitit 2019, veçanërisht pasi “ka pasur zhvillime të brendshme dinamike politike në vendet e rajonit”.

Procesi i zgjerimit u duk sikur fitoi një momentum të ri pranverën e kaluar kur Maqedonia Veriore dhe Shqipëria morën dritën e gjelbër nga ministrat e BE-së për t’i nisur bisedimet gjatë atij viti.

Megjithatë, procesi hasi në një bllokadë tjetër kur Bullgaria i vuri veto bisedimeve të Maqedonisë së Veriut në vjeshtë për shkak të dallimeve rreth historisë dhe gjuhës.

Vetoja bullgare afektoi edhe Shqipërinë pasi anëtarët e BE-së e shohin anëtarësimin e Shkupit dhe të Tiranës si “marrëveshje në pako”. Mungesa e progresit konkret bie në duart e vendeve të Evropës Perëndimore, në veçanti mbi Francën, opinioni publik i së cilës është bërë shumë skeptik për një zgjerim të mëtejmë të BE-së, në veçanti në dritë të zgjedhjeve të ardhshme presidenciale më 2022.

Ndonëse BE-ja është donatori dhe partneri më i madh tregtar i Ballkanit Perëndimor, përpjekjet për ta afruar edhe më tej rajonin janë frenuar nga kërkesat e bllokur për reforma, dhe nga mosdashja e vendeve për t’i implementuar ato.

“Pandemia ka përkeqësuar tendencat tashmë ekzistuese, duke përfshirë implikimet gjeopolitike. Aktorë të tjerë janë të gatshëm të ndërhyjnë në çështjet rajonale, shpesh në kurriz tonë”, shkruajnë nëntë ministrat e jashtëm të BE-së duke iu referuar trajtimit të vonshëm dhe shumë të kritikuar të BE-së rreth mbështetjes për rajonin në faza të ndryshme të krizës shëndetësore COVID-19, transmeton Zeri.info.

Vendet e Ballkanit Perëndimor Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia Veriore, Bosnja dhe Serbia – me rreth 20 milionë banorë – kanë hasur në vështirësi për të siguruar vaksinat COVID-19 nga kompani dhe programe të shumta dhe do të mbesin shumë prapa vendeve të BE-së në përpjekjet për të arritur imunitetin e masës përmes imunizimit të shpejtë dhe masiv.

“Derisa BE-ja ka mobilizuar mbështetje masive për rajonin, aktorë tjerë ishin më të efektshëm në prezantimin e mbështetjes së tyre dhe kështu minuan seriozitetin, besueshmërinë dhe perceptimin e solidaritetit tonë”, theksojnë nënshkruesit e letrës.

Ministria e Jashtme e Kroacisë tha në një deklaratë të ndarë dërguar “EURACTIV” se “pasja e një qasjeje gjithëpërfshirëse ndaj rajonit ishte e rëndësishme për besueshmërinë e BE-së, si partneri i saj më i rëndësishëm”. Deklarata theksoi veçanërisht nevojën “për të ndihmuar Bosnje-Hercegovinën për hir të përmirësimit të funksionimit dhe stabilitetit të saj”.

Kritikët ka kohë që thonë se “diplomacia kineze e maskave dhe vaksinave” synonte të ndërtonte një afrim me Ballkanin Perëndimor në një kohë kur bashkëpunimi midis Brukselit dhe Washingtonit ishte i dobët.

“Ne, si BE, duhet t’i qasemi rajonit jo vetëm përmes lentës së zgjerimit, por edhe përmes optikës së politikës së jashtme”, thanë nëntë ministrat e jashtëm, duke shtuar se BE-ja duhet të mendojë se “si të reagojë ndaj zhvillimeve të brendshme në terren dhe ndaj angazhimit më të madh të aktorëve të tretë”.

Një diplomat i BE-së i informuar me çështjet e zgjerimit, po ashtu theksoi rëndësinë e një politike aktive të BE-së në rajon.

“Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë status të ndryshëm për sa i përket integrimit në BE, por ideja është t’ju mundësohet atyre të avancojnë, t’i hapin negociatat. Të gjithë e dimë se do të jetë një rrugë e gjatë e trazuar por duhet na duhet t’i kemi të angazhuar në këtë proces”, tha ai për “EURACTIV”.

“Nëse nuk e shtyjmë këtë agjendë përpara, do t’ju lejojmë lojtarëve tjerë të kenë ndikim politik e ekonomik në rajon, gjë e cila pa dyshim se nuk është në interesin e BE-së”, paralajmëroi diplomati.

Ministrat e jashtëm të BE-së theksuan po ashtu se, nën administratën e re amerikane të Joe Bidenit, “Shtetet e Bashkuara po përgatiten për një riangazhim në rajon”, dhe theksuan se “për të punuar krahë për krahë me ta si partneri ynë kyç, ne duhet të kemi një qëndrim të përbashkët”.

Nën administratën e kaluar Trump, Kosova dhe Serbia u pajtuan për një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve ekonomike, pa përfshirjen e dukshme të BE-së.

Zyrtarët në Bruksel tani shpresojnë se një ristartim transatlantik do të ndihmojë edhe në ringjalljen e dialogut Prishtinë-Beograd të udhëhequr nga BE-ja, i cili është një parakusht për të dy vendet për të përparuar perspektivat e tyre të BE-së.

Ballkani Perëndimor ishte një nga rajonet – bashkë me Kinën, Rusinë, Bjellorusinë dhe Ukrainën – për të cilin presidenti Biden dhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen u pajtuan të koordinohen gjatë një bisede telefonike javën e kaluar.

Polonia, tradicionalisht një ithtar i fortë i një politike aktive të zgjerimit, nuk ishte midis nënshkruesve, por një diplomat polak i tha “EURACTIV” se është “praktikë e zakonshme në BE që vendet anëtare të paraqesin pritjet e tyre në formate dhe konfigurime të ndryshme”.

“Polonia mbështet politikën e zgjerimit të BE-së. Procesi i zgjerimit është një mjet i rëndësishëm për të promovuar sigurinë në Ballkanin Perëndimor, i cili nënkupton edhe sigurinë në Evropë. Për këtë arsye mbështesim argumentet e përfshira në letrën e iniciuar nga Sllovakia”, potencoi diplomati polak. /Zëri

Image

Image