Për Ditën Ndërkombëtare të Gruas, një delegacion i FSK-së vendos lule te memoriali “Heroinat”

Për Ditën Ndërkombëtare të Gruas, një delegacion i FSK-së vendos lule te memoriali “Heroinat”

Aktuale March 08, 2021 - 13:10

Me rastin e 8 Marsit –Ditës Ndërkombëtare të Gruas, në ambientet e kazermës së FSK-së “Adem Jashari” në Prishtinë, organizuar nga Ministria e Mbrojtjes, u mbajt konferenca “Roli i gruas në institucionet e sigurisë”.

Në këtë konferencë, përpos ministrit të Mbrojtjes Anton Qunit, zëvendësministres së Mbrojtjes Sadika Kofrc, komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Ramës, sekretares së përgjithshme të Ministrisë së Mbrojtjes Rozafa Ukimerajt, gjeneralmajor Gëzim Hazrollit dhe oficereve dhe zyrtareve të Ekipit Këshillëdhënës të NATO-s (NALT), mori pjesë edhe ish-presidentja e vendit, Atifete Jahjaga.

Para vajzave dhe grave zyrtare dhe ushtarake të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, fjalime mbi rolin e gruas në institucionet e sigurisë, konkretisht në Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në, mbajtën ministri Quni dhe gjeneral Rama.

Në vazhdim konferenca zhvilloi punimet në formatin interaktiv me komente e pyetje nga ana e të pranishmeve adresuar ish-presidentes Jahjaga dhe anëtarëve të tjerë të panelit përkatës.

Nga ana e saj, Jahjaga, në fjalën e saj kryesore, vlerësoi shumë lart rolin e gruas në prosperitetin e përgjithshëm të shoqërisë njerëzore, si dhe atë të gruas kosovare në veçanti në të gjitha etapat historike, me theks në periudhën e rezistencës dhe luftës për liri, pavarësi dhe demokraci.

Në vazhdim ajo u përgjigj në pyetjet e parashtruara nga moderatorja dhe të pranishmet, pyetje të cilat ishin të fokusuara në përvojën e saj si presidente e vendit, sfidat dhe përparësitë si grua, rolin e saj në vendimmarrjen shtetërore në periudha të veçanta për procesin politik dhe institucional të vendit nga pozita e presidentes.

Konferenca përkatëse nga të gjithë u vlerësua e suksesshme, duke u përmbyllur me vendosjen e luleve te memoriali “Heroinat” nga ana e delegacionit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, në përkujtim dhe nderim të rreth 20 mijë grave të dhunuara në luftën e fundit në Kosovë. /Zëri