Ndihma e shpejtë nuk i shkon të infektuarës në gjendje të rëndë me COVID-19 në Prishtinë
Foto ilustruese

Ndihma e shpejtë nuk i shkon të infektuarës në gjendje të rëndë me COVID-19 në Prishtinë

Aktuale March 05, 2021 - 13:38

 

Image

Qytetarët e prekur nga COVID-19 në Kosovë nuk po ndihmohen nga institucionet as me barna ose ndihma të tjera ushqimore. Gjendja e tyre është alarmante.

Madje as ndihma e shpejtë, që kërkohet nga ta, nuk u shkon kur janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Një ndër ta është edhe Mimoza Havolli, nga Prishtina, ku të gjithë anëtarët e saj të familjes janë të infektuar me koronavirus, raporton “Zeri.info”.

Në një bisede telefonike me “Zërin”, kryefamiljarja Mimoza ka bërë të ditur se familja e saj është e përbërë nga gjashtë anëtarë e të gjithë janë prekur nga COVID-19, kurse gjendja e saj është tejet e rënduar.

Askush nga ta nuk mund të dalë të blejë ushqim e as barna.

Ndërsa vetë Mimoza nuk mund të lëvizë nga shtrati nga gjendja e rënduar. Ajo tregon për vështirësitë të cilat i ka.

Mimoza thotë se ajo edhe më herët ka pasur probleme mjekësore, siç janë anemia, tensioni, mungesë të Vitaminës D, por që koronavirusi veçse ia ka përkeqësuar ato.

E në këtë rast as ndihma e shpejtë nuk i ka dalë në ndihmë, raporton “Zeri.info”.

Mimoza tregon se ka kontaktuar me ta, por që nuk ia kanë bërë një zgjidhje e vetëm i kanë thënë “shko te mjeku”.

Por Mimoza thotë se ajo nuk mundet të shkojë te mjeku.

“Nuk mundem me u çu prej vendi”, thotë Mimoza, teksa të qarat i dëgjohen përmes telefonit.

“Unë nuk po mundem me u çu prej vendi. Ndihma e shpejtë duhet me ardh me më marr, une nuk po mundem. I kam thirr në telefon, por më kanë thanë shko te mjeku, por unë nuk muj me u çu prej vendi. Duhet me ardh me më marr, me më çu në Infektivë se jom shumë ligsht, shumë ligsht’, thotë ajo.

“Zëri” është interesuar të dijë se cila ka qenë arsyeja që Mimoza nuk është ndihmuar, e siç thotë ajo nuk ka pasur një të tillë.

“Jo, jo, jo, asnjë arsye”, ka bërë të ditur ajo prapë, duke qarë e dënesë.

Gjatë bisedës telefonike, Mimoza tregon se edhe anëtarët e tjerë janë të infektuar me koronavirus, por që bën të ditur se gjendja e tyre është stabile.

“Mirë janë. Kanë pak kokëdhimbje dhe temperaturë, por unë e kam gjendjen më të rëndë. Nuk po mundem të çohem prej vendi”.

Mimoza po ashtu thotë se nuk ka mundësi as të blejë barna nga gjendja e rënduar ekonomike që ka.

“Jemi mbet pa kurgjo”, thotë ajo, përcjell "Zëri.info".

“Duhet me i ble barnat”, vazhdon Mimoza.

Për qytetarët që duan të ndihmojnë me barna dhe ushqime këtë familje, ja numri kontaktues: 045 804 369. /Zëri