“Robert Koch”: Gjatë pushimeve verore numri më i madh i infeksioneve me COVID-19 në Gjermani erdhi nga Kosova
Udhëtimet e huaja në vjeshtën e vitit 2020 ishin ndoshta më pak vendimtare për valën e dytë të rasteve me koronavirus sesa pritej. Të paktën këtë e sugjeron një raport i ri i institutit “Robert Koch” në Gjermani.
Kjo pasi në vjeshtën e vitit 2020 udhëtimet në dhe nga vendet e pushimeve supozohet të mos jenë një faktorë pandemie.
Në një nga buletinet epidemiologjike thuhet: “Ndërkohë, vala e pushimeve verore është zvarritur nga vala e dytë e madhe e infeksioneve në Gjermani. Në këtë infeksionet e lidhura me udhëtimet luajnë vetëm një rol shumë të nënrenditur, sepse mbizotëron transmetimi autokton ose transmetimi ndërmjet dy bashkatdhetarëve”.
Në këtë drejtim shtohet se turistët kanë pak kontakt me vendasit, gjë që çon në një rrezik të ulët të infeksionit në lidhje me incidencat e destinacionit të udhëtimit.
“Qëndrimet e natës në hotele, të cilat shpesh ishin subjekt i rregullave të rrepta të higjienës verën e kaluar, ndoshta gjithashtu kanë kontribuar në këtë”.
Por në vend të turistëve, vlerësohet më tej, ishte ndoshta një grup tjetër udhëtarësh që u infektuan jashtë vendit, ata që vizituan vendet e tjera dhe u kthyen në Gjermani.
Lidhur me atë se nga cilat vende arritën shumica e infeksioneve të reja, gjatë kohës së pushimeve verore – pas vetë Gjermanisë – thuhet se ato arritën nga Kosova (me 4369 raste midis 20 korrikut dhe 20 shtatorit).
Në vendin e tretë të të ashtuquajturve vende të ekspozimit ishte Kroacia (3903), e ndjekur nga Turqia (3131), Bosnjë dhe Hercegovina (1193), Rumania (1096), Spanja (1059), si dhe Franca (760).
“Midis njerëzve që raportuan ekspozim në Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë, Maqedoninë e Veriut ose Rumani dhe veçanërisht shpesh pa simptoma, ka pasur shumë punëtorë sezoni ose me kontratë”.
Kjo, thuhet më tej, përshtatet me vendet kryesore, Turqinë dhe Kosovën, nga vijnë shumë migrantë. /Telegrafi