Faton Bislimi: Largimi i Vjosa Osmanit ka dëmtuar LDK-në

Faton Bislimi: Largimi i Vjosa Osmanit ka dëmtuar LDK-në

Aktuale February 26, 2021 - 19:07

Emisioni Balkan Talks në Euronews Albania kishte në fokus realitetin e ri politik në Kosovës pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Faton Bislimi, i cili është një figurë e njohur e forcës më të vjetër politike në Kosovë, LDK foli rreth realitetit të ri në të cilin gjendet kjo parti pas humbjes në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Ne nuk kemi një përgjigje se pse humbëm zgjedhjet, por kemi indikatorë se kursi i viteve të fundit tregon një josukses elektoral dhe tregues ka qenë humbja në Podujevë në zgjedhjet lokale. Ky ka qenë alarmi më i qartë për LDK-në se kjo rrugë nuk tregonte rezultatet që ne donim dhe kishte nevojë për një lëvizje të brendshme”, - tha anëtari i LDK-së, Faton Bislimi.

Ai u ndal edhe te largimi i Vjosa Osmanit, teksa u shpreh se LDK ndihmoi te fitorja e saj në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Në 2019 znj. Osmani ju bë nder nga strukturat e LDK-së për të shënuar fitoren e saj dhe LDK-së. Ajo fushatë ka qenë në funksion të znj. Osmani. Në këto zgjedhje, fakti që zgjodhi dikë tjetër ka dëmtuar LDK-në”, - shprehet Faton Bislimi.

Një arsye tjetër që çoi në humbjen e LDK-së sipas Bislimit, është edhe ndryshimi politik vitin e kaluar.

“Si duket dhe ai ndryshim politik që ndodhi vitin e shkuar krijoi një amulli besimi te LDK-ja. Vetëvendosja tregoi që ne donim interesin e një individi dhe kjo ka ndikuar te humbja në zgjedhje. Z. Kurti tregoi diçka të pavërtetë, pasi largimi nga koalicioni ndodhi për shkak se nuk ramë dakord”, - rrëfen për Balkan Talks Bislimi.

Aktualisht LDK-ja sipas tij është në një situatë reflektimi dhe në rimëkëmbje.

“Ne jemi në një situatë të re dhe duhet të dalim nga një reflektim që të na shërbejë në të ardhmen”, - tregon politikani.