![Haradinaj kërkon krijimin e institucioneve dhe përmbushjen e obligimeve që dalin nga Kushtetuta](/uploads/zeri.info/images/2021/February/24/auto_Ramush_Haradinaj-1_shkurt_2021b-Laura_Hasani1614163898.jpg)
Haradinaj kërkon krijimin e institucioneve dhe përmbushjen e obligimeve që dalin nga Kushtetuta
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se pret krijimin e institucioneve sa më shpejt.
Përmes një postimi në “Facebook”, Haradinaj ka thënë se dialogu i brendshëm vetëm me përfaqësues minorë e pa ndonjë fuqi elektorale të serbëve është sinjal i keq për karakterin unitar të shtetit.
“Kosova sot, prej fituesve të rinj të zgjedhjeve pret krijimin sa më shpejt të institucioneve dhe përmbushjen e obligimeve që dalin nga Kushtetuta, duke përfshirë këtu dialogun e brendshëm dhe të jashtëm, që të vetmin përcaktim ka ruajtjen e sovranitetit dhe të integritetit të vendit e karakterit unitar të shtetit. Dialogu i brendshëm vetëm me përfaqësues minorë e pa ndonjë fuqi elektorale të serbëve nga pjesa qendrore e Kosovës, jo vetëm se mund të jetë selektiv, por edhe sinjal i keq për karakterin unitar të shtetit”, ka shkruar ai.
Po ashtu Haradinaj e konsideron të parakohshëm ngutjen për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri.
“E konsideroj po ashtu të parakohshme ngutjen për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri dhe druaj se, në mos për vetë pjesëmarrësit në këto zgjedhje, të tjerët do ta shohin si një hile dhe mundësi për të rikthyer skenarë të vjetër për ndarje. E pakta kjo mund të konsiderohet si një lloj pafuqie për t’u përballur me integrimin e patjetërsueshëm të veriut të vendit!”, ka përfunduar ai. /Zëri