Që nga viti 2008 Kosovën e kanë njohur 117 shtete
Sot u bënë 13 vjet prejse Kosova shpalli pavarësinë e saj, raporton “Zeri.info”.
Më 17 shkurt 2008, në orën 15:30, në një mbledhje ku morën pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë Kosova u shpall shtet i pavarur, demokratik dhe sovran.
Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 ishte kurorëzim i një rrugëtimi të gjatë e të vështirë për qytetarët e Kosovës. Për vite me radhë deri në qershor të vitit 1999 qytetarët vuajtën pasojat e spastrimit etnik nga regjimi serb.
Më 2 shkurt 2007 i dërguari special për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beograd për pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës, hap që çoi drejt krijimit të shtetit të pavarur.
"Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të dërguarit special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari dhe propozimin e tij gjithëpërfshirës për zgjidhjen e Statusit të Kosovës”, thuhej në deklaratën e Pavarësisë, e nënshkruar nga kryeministri i asaj kohe, Hashim Thaçi.
Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë u dërguan letra në drejtim të të gjitha qeverive të botës për njohjen e saj. Njohjet e para filluan menjëherë pas disa orësh, ku Kosta Rika ishte shteti i parë që njohu Kosovën shtet të pavarur.
Që nga viti 2008 Kosovën e kanë njohur 117 shtete. Ndërsa gjatë vitit 2019 Kosova nuk pranoi asnjë njohje.
Njohja e fundit të cilën e mori Kosova është më datën 01.02.2021, nga Izraeli.
Kosova do të shënojë këtë përvjetor me një qeveri të re të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, që u mbajtën më 14 shkurt.
Sipas rezultateve të publikuara nga KQZ-ja, LVV-ja fitoi bindshëm me 47,85 %, partia e dytë radhitet PDK-ja, me 17,41%, ndërsa e treta LDK-ja me 13,08%, AAK-ja me 7,4%, ndërsa Nisma me vetëm 2,5%, duke mos arritur ta kalojë pragun për të hyrë në Kuvend. /Zëri