Kosova vërshohet nga diaspora për zgjedhjet e 14 shkurtit
Foto: Laura Hasani

Kosova vërshohet nga diaspora për zgjedhjet e 14 shkurtit

Aktuale February 11, 2021 - 10:30
Image

Mërgimtarë të shumtë kanë vendosur të vijnë në Kosovë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.

Kjo pasi disa nga ta ankohen se u është pamundësuar votimi me postë, prandaj kanë vendosur të vijnë fizikisht në Kosovë për të dhënë votën e tyre drejt partisë që ata mendojnë se do të qeverisë më së miri vendin.

Zyrtari për media në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari”, Bujar Gashi, ka thënë për “Zërin” se që nga fillimi i muajit shkurt kanë arritur mbi 85 fluturime, teksa deri më 14 shkurt pritet të realizohen edhe 71 fluturime të tjera.

“Që nga fillimi i muajit shkurt, java e parë e këtij muaji, ne u shërbyem mbi 85 fluturimeve, ndërsa nga data 8 deri më datën 14 shkurt pritet të realizohen edhe 71 fluturime në total”, tha Gashi.

Ai ka theksuar se numri më i madh i fluturimeve është nga Zvicra.

“Si çdoherë, numrin më të madh të fluturimeve e kemi nga shteti i Zvicrës, pastaj vjen me radhë Gjermania, vendet skandinave e kështu me radhë”, ka thënë ai për “Zërin”.

Ermal Rrustemi, një qytetar i Kosovës i cili jeton në Gjermani, është shprehur i lumtur që udhëtimin e tij drejt vendlindjes e bëri me kompaninë “Eurowings”. Ai thotë se asnjëherë nuk do t’i ndërrojë avionët e kësaj kompanie.

“Kam arrit me ‘Eurowings’, super kam kaluar rrugës, në përgjithësi ka qenë shumë mirë. Kam udhëtuar vetëm për qejfi kësaj radhe. ‘Eurowings’-in nuk do ta ndërroj, absolut, sepse avionët e tyre janë shumë më të mirë”, tha ai për “Zërin”.

Image

Ndërkaq Rrustemi tregoi për një përvojë të keqe që e priti me të zbritur nga aeroplani në aeroportin e Prishtinës. Ai tha për “Zërin” se një zyrtar policor i Kosovës i ka thënë se kë duhet ta votojë ai, teksa potencon se ai nuk ka ardhur në vendlindje për të votuar.

“Për zgjedhje nuk kam ardhë, vetëm kish qenë mirë me u thënë policëve mos me tregu kënd me votu se unë nuk jam ardh ta votoj askënd dhe nuk jam me asnjë parti, vetëm se me më ndal polici e me më tregu kënd duhesh me votu ti këtu kur të vish, unë nuk e di...”, u shpreh Rrustemi, ndërsa nuk tregoi se për cilën parti i kishte rekomanduar polici të votojë.

Image

Një tjetër mërgimtar deklaron se në vendlindje ka ardhur edhe për familjen e tij e njëkohësisht edhe për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Shpresa e vetme e Nafi Bajramaliut është që në vendin e tij me këto zgjedhje të bëhet mirë. Ndërkohë nga qeveria e re pret që të ketë punësim e drejtësi për të gjithë.

“Pak familja, pak edhe zgjedhjet. Besoj që tash me këto zgjedhje do të bëhet më mirë. Populli e di këtë situatë si e kemi pasur deri më tani. Besoj që do të bëhet jo mirë, por shumë mirë për të gjithë. Pres që do të ketë punësim, do të ketë rregulla e drejtësi për të gjithë”, tha Bajramaliu për “Zërin”.

Familja Dibrani nga Shtutgarti i Gjermanisë ka vendosur që për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të jetë fizikisht në Kosovë për të dhënë votën.

 

E tërë familja ishin përkrahës të flaktë të një partie, e cila garon në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Sahiti, njëri nga vëllezërit Dibrani, tha fjalë të mira për Albin Kurtin e Vjosa Osmanin.

“Albini është i drejtë, nuk është i korruptuar, është njeri që ka pasur vuajtje të mëdha, e kupton popullin, rininë, është atdhetar, të gjitha i ka. Gjithashtu edhe Vjosa Osmani është një femër e emancipume, patriote që deri tash e ka dhënë kontributin e vet, të gjithë jemi me të”, tha ai.

Po ashtu Sahit Dibrani është shprehur optimist se në këto zgjedhje do të fitojë drejtësia.

“Jemi optimistë shumë në këto zgjedhje, besoj që do të fitojë drejtësia, kur fiton drejtësia, atëherë është në rregull, si kur fillon shtëpinë me ndërtu e bën themelin e mirë në fillim, mos u tut, edhe këta temelin e mirë janë duke e bërë besoj që edhe ne kemi me pas përparim, boll më kjo rini, me fakultet të përfunduar me punu në kanale. Kam parë raste që njeri me fakultet të përfunduar të Juridikut punon kamerier. Çka me bë, është hy ai i pashkollë që nuk ka lidhje, është bërë milioner, këta na mbyten, populli është duke vuajtur me të vërtetë”, ka thënë Sahit Dibrani, i ardhur nga Gjermania, ndërsa theksoi se ardhja e tyre në vendlindje ka vetëm një arsye.

“Vetëm për zgjedhje kemi ardhë, jemi familja Dibrani, këtu i kam edhe tre vëllezër me vete me familjet e tyre”, ka theksuar, ndërsa ka shtuar se kanë kaluar shumë mirë me komoditetin e kompanisë “Eurowings”.

Image

Ndërkaq Ramadani, vëllai i Sahitit, thotë për “Zërin” se e drejta e votimit nuk i është njohur nga institucionet e Kosovës dhe kjo e ka detyruar atë që të vijë me familje në vendlindje e të votojë fizikisht.

“Unë qe 7 vjet jetoj në Gjermani, shtëpi kemi edhe këtu, të gjitha tatimet i paguajmë, çdo taksë qytetare që e paguan qytetari i rëndom në Kosovë edhe ne i paguajmë, tash ne jemi të shqetësuar që nuk na kanë lejuar që të votojmë, prandaj me të 14-in është dita e votimit dhe kemi ardhur prej atje familjarisht me votu, pasi që nuk na u ka njohur e drejta e votimit”, ka deklaruar Ramdan Dibrani.

 

Image

Ai ka një lutje për institucionet e Kosovës.

“I lus institucionet shtetërore që këtu e tutje të mos na maltretojnë mërgatën me ardhë për të votuar, dikush me autobus, me automjete, aeroplan. Të paktë janë ata që kanë mundur të votojnë me postë”, tha Ramdani nga familja Dibrani.

Po ashtu ai thotë se aplikimi për të votuar me postë u ka kushtuar nga 65 euro atyre që jetojnë në Gjermani.

“Me postë është një shpenzim i panevojshëm, me llogarit 180 mijë aplikues që jemi në diasporë që kemi aplikuar për të votuar dhe vetëm posta na ka kushtuar nga 65 euro për ne që jemi në Gjermani. Prapë i bëj apel qeverisë që të ketë kujdes në të ardhmen, gjithqysh diasporës me i dhënë një prioritet”, ka përfunduar ai.

Edhe një bashkatdhetar tjetër i ardhur nga Shtutgarti i Gjermanisë shprehet tejet i kënaqur me komoditetin e kompanisë së fluturimeve “Eurowings” dhe thotë se asnjëherë nuk ka pasur problem.

“Komoditeti është shumë i mirë me aeroplanët ‘Eurowings’-it, kurrë nuk kam pas problem me këtë kompani”, thekson ai.

Ai thotë se ardhja e tij në vendlindje nuk ndërlidhet me zgjedhjet, pasi thotë se nuk voton kurrë.

“Vetëm për pushim kam ardhë. Për pikë të qejfit. Nuk kam votuar asnjëherë, sepse nuk merrem shumë me politikë. As atje nuk votoj edhe pse kam të drejtën të votoj”, deklaroi ky bashkatdhetar.

Image

Më 14 shkurt mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë. Vendimi për zgjedhje erdhi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila e shpalli të pavlefshme votën e deputetit Etem Arifi, i cili kishte dënim të formës së prerë me burg e i cili njëkohësisht e kishte votuar qeverinë “Hoti”. Kjo bëri që qeveria të rrëzohej, pasi nuk kishte vota të mjaftueshme për të vazhduar punën. /Zëri

Image